Hipotezat për pankinën e Celsit

06/03/2012 00:00

Vilas Boas është shkarkuar si trajner i Celsit dhe tashmë në median britanike kanë filluar të ngrihen shumë hipoteza për zëvendësuesin e tij në sezonin e ardhhëm. Lista e përpiluar prej tyre është e gjatë dhe në të janë përfshirë emrat e trajnerëve më të spikatur të viteve të fundit.

E përditshmja ‘Daily Mail’ flet për një interesim të padronit të Celsit, Roman Abramovic për Joakim Lëv. Sipas kësaj të përditshmeje manjati rus i “Bluve” të Londrës është takuar me trajnerin e përfaqësueses gjermane në një hotel në Gjenevë të Zvicrës në lidhje me këtë cështje.

Ndërsa e përditshmja tjetër ‘Daily Express’ flet për mundësinë e rikthimit të Jose Muorinhos në pankinën e “Bluve”. Megjithatë në faqet e kësaj të përditshmeje flitet edhe për 2 kushte të vendosura prej portugezit; të paguhet 12 milionë paund në vit dhe të ketë në dispozicion të tij fonde të mjaftueshme për të sjellë në Stemford Brixh edhe Cristiano Ronaldo-n.

Tjetër teori ka ngritur ‘The Times’, sipas së cilës zgjedhja e Abramovic është trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola. Ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të rinovojë kontratën me klubin katalanas dhe Celsi mendon ta marrë atë me parametra zero.

E përditshmja tjetër ‘The Sun’ përmend emrin e Rafael Benitez. Sipas këtij tabloidi, është vetë trajneri spanjoll që ka vënë kandidaturën për të marrë drejtimin e “Bluve” të Londrës sezonin e ardhshëm.

Top Channel