Superliga, Tirana e para pas 15 javësh

05/03/2012 00:00

Tirana merr për herë të parë gjatë këtij sezoni kreun e Superligës dhe këtë falë fitores 1-0 ndaj Kastriotit falë golit të Gilman Likës dhe njëkohësisht barazimit 1-1 të Teutës në Vlorë.

Flamurtari i Shkëlqim Muçës humbi shansin më të mirë për tu rikthyer në luftën për titullin kampion. Sfida mes këtyre dy skuadrave u zhbllokua në pjesën e dytë dhe ishin durrsakët ata që shënuan të parët. Autori i golit ishte Nika.

Por barazimi i vlonjatëve erdhi shumë shpejt me Pejic. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund duke bërë që Teuta të zbresë në vendin e dytë me golavarazh më të keq se Tirana.  

Skënderbeu e pati të lehtë ta mbyllë me fitore javën e 15 dhe të ngushtojë në 1 pikë diferencën me kryesuesit. Korçarët mundën në Peqin 2-0 Dinamon me një dopjetë të ish-dinamovitit, Gjergji Muzaka.

Ka ende 11 javë për tu luajtur deri në fund, por për Dinamon e shumë problemeve kjo duket se do të jetë një kohë e pamjaftueshme për të evituar rënien në Kategorinë e Parë.

Fitorja më e thellë këtë fundjavë u arrit në Shkodër, ku Vllaznia shkatërroi 4-0 Kamzën. Golat për skuadrën e Rudi Vatës u shënuan nga Jablan, Hajdari, Gocaj dhe në fund Jurgen Gjini.

Top Channel