Qeveria maqedonase nuk e dëshiron anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe kontesti i emrit me Greqinë është vetëm një justifikim.
Kështu thotë një dokument i publikuar nga faqja e internetit Wikileaks, të cilit i referohen mediat maqedonase.
Dokumenti në fjalë është hartuar nga qendra analitike “Stratfor” në vitin 2009 dhe në të citohet edhe një diplomat i lartë nga vendet e Evropës perëndimore.
“Maqedonia nuk dëshiron të hyjë në Evropën e bashkuar dhe problemi me Greqinë përdoret si një taktikë për të zvarritur reformat e nevojshme”, thuhet në dokument.
Sipas tij, ky është qëndrimi i një eurodeputeti, i afërt me ministrin e Jashtëm suedez Karl Bildt, i cili në shtator të vitit 2009 ia komunikoi një bashkëpunëtori të qendrës amerikane analitike “Startfor”.
Përmbajtja e këtij dokumenti u zbardh sot nga e përditshmja maqedonase “Fokus”, ndërsa komunikimet e qendrës “Startfor” u publikuan javën e kaluar nga themeluesi i Wikileaks, Julian Assange.
Top Channel