Allegri: Champions e fitoj brenda dy vitesh

05/03/2012 13:00

“Objektivi im është të fitoj Champions League brenda dy vitesh”. Kështu është shprehur trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, në një intervistë për ‘The Sun’ një ditë para takimit të kthimit të 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve që kuqezinjtë do e luajnë ndaj Arsenalit.

“Me pak fat mund të arrijmë finalen në këtë sezon, por Barcelona dhe Real Madrid janë një shkallë më lart. Gjithsesi në një ndeshje finale kundër tyre mund të luajmë shanset tona”, thekson tekniku livornez.

Allegri përgëzon trajnerin e londinezëve, Arsene Wenger, për aftësinë për të mbajtur Arsenalin në nivele të larta edhe pse çdo vit i largohen lojtarë të mëdhenj, por shton se për të fituar duhet që një ekip të mbajë kampionët.

“Nëse Arsenal kërkon të fitojë duhet të blejë 2-3 lojtarë të mëdhenj. Pa kampionë është e vështirë të fitosh. Kjo vlen për të gjithë klubet”, nënvizon Allegri.

Përsa i përket ndeshjes, tekniku kuqezi tha: “Jam dakord me Wenger kur thotë se Arsenal ka vetëm 5% mundësi kualifikimi sepse kemi marrë një rezultat shumë të mirë në San Siro (4-0).”

Top Channel