Seria A, Juve ndalet, Milan “shkatërron” Palermon

04/03/2012 00:00

Ndalet Juventusi dhe Milani shkon +3 në klasifikimin e Serisë A.

Bardhezinjtë e Kontes kanë barazuar 1-1 në fushën e tyre në një ndeshje e cila në letër dukej e lehtë. De Ceglie përfiton nga një rrëmujë në zonë dhe shënon golin e parë për Juventusin që mbetet me aq.

Në pjesën e dytë duken disi të lodhur dhe vihen shpesh herë në rrezik, deri kur në minutën e 76 Bukari Drame i ndihmuar edhe nga mbrojtja e Juventusit barazpeshon shifrat duke i ndarë të dyja skuadrave nga një pikë.

Më e dëmtuar mbetet Juventusi me këtë pikë të marrë pasi tani ndodhet 3 pikë larg vendit të parë edhe pse me 1 ndeshje më pak.

Ndërkohë Milani është i papërmbajtshëm dhe vazhdon marshimin triumfues. Një super Ibrahimovic i rikthyer pas tre javësh pezullim shënon nga një gol për secilën javë që mugoi dhe me 3-golëshin e kësaj ndeshjeje fundos Palermon.

Në pjesën e dytë shënon edhe Tiago Silva i cili çon në 4-0 shifrat e këtij takimi që rikthen Milanin tek fitorja në Barbera pas 6 vjetësh.

Top Channel