Ujkani rrëfen ndeshjen ndaj Gjeorgjisë

03/03/2012 00:00

Samir Ujkanit, pas ndeshjes me Gjeorgjinë, që kuqezinjtë e humbën me
vendime të diskutueshme të arbitrit (2:1), i është dashur të udhëtojë
pas mesnatës drejt aeroportit, ku nëpërmjet linjës
Tbilisi–Stamboll–Milano ka arritur në shtëpi.

Menjëherë më pas portierit të Novarës i është dashur të hyjë në stërvitje me klubin dhe në mbrëmje ka ndier lodhjen e 24-orëshit të fundit. “Lidhja ishte e tillë që nuk bënte ndryshe, pastaj në klub ishte stërvitja dhe obligimet që fillojnë sërish. Jam pak i lodhur”, tha Ujkani nëpërmjet linjës telefonike.

Për ndeshjen e Kombëtares, të zhvilluar të mërkurën, Ujkani mendon se rezultati nuk ishte real. “Rezultati nuk ishte korrekt. Duhet parë pjesa e parë që ishte shumë pozitive për ne. Me fillimin e pjesës së dytë bëmë gabime, pasi ata na futën në presion. Duhet të jemi të kënaqur me ndeshjen, por duhet punuar akoma më shumë”, u shpreh portieri i Novarës. “Trajneri në këtë ndeshje provoi disa lojtarë të rinj si Çani, pastaj Roshi e Hyka, që përfituan më shumë hapësira, të cilët mund të krijojnë një grup të mirë”, shtoi ai. Para ndeshjes, trajnerit Xhani de Biazi iu dha një letër të gjithë lojtarëve. “Ishte vërtet diçka e veçantë. Ai kishte shkruar gjëra nga zemra e tij. Duhet mbajtur mend ajo letër, sepse na dha zemër për angazhimin në ndeshje. Ishte një letër vërtet emocionuese, që bëri të gjithë grupin e lojtarëve të mos kenë frikë nga askush në fushën e lojës dhe të funksionojnë të bashkuar”, theksoi gardiani i portës shqiptare, Samir Ujkani. Në opinionin shqiptar u krijua një përshtypje se edhe arbitri bëri gabime që i kushtuan Shqipërisë. “E pranoj që edhe reagimi im ishte i tepruar, por isha i emocionuar dhe ashtu nuk duhet bërë. Edhe arbitri bëri gabime që na kushtoi shumë, por jemi njerëz. Kështu e ka futbolli, duhet të shikojmë përpara. Mendoj se para se të mendojmë për arbitrin, duhen parë anët ku ne duhet të përmirësohemi”, citoi 23-vjeçari. Samir Ujkani pohon se ka kaluar lëndimi i rëndë në fytyrë që e pësoi para tre muajve. “Jam shëruar plotësisht nga dëmtimi dhe tani ndihem mirë. Për këtë arsye nuk e mbaj edhe maskën. Ishte një lëndim i rëndë, por që ndodh me portierët dhe më mbetet të përqendrohem tek e ardhmja. Kështu e ka futbolli”, tha portieri i Novarës. Me paraqitjet e mira duket se është shmangur barra e emocionit në fanellën që mban Ujkani. “Në futboll, me kalimin e kohës, krijon eksperiencë dhe kjo është e rëndësishme. Këtë ma tha edhe trajneri, se duhet të kem edhe besimin e grupit të lojtarëve dhe ata besimin tim. Është e vërtetë që emocionohem sa herë që vesh fanellën e Kombëtares në çdo ndeshje. Në anën mendore, me kalimin e ndeshjeve sigurisht që bëhesh më i fortë”, përfundoi portieri i formuar në Belgjikë. Nga sezoni 2001-2006, Ujkani luajti për Ingelmundter dhe nga 2006-2007 u aktivizua me Anderlehtin. Nga 2007-2009 luajti vetëm një ndeshje me Palermon dhe nga 2009-a mbron portën e Novarës.

Top Channel