Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, pranoi se vendi i tij nuk do të arrijë të shkurtojë defiçitin brenda parametrave të kërkuar në vitin 2012, ndonëse hodhi firmën në një marrëveshje europiane, që synon të forcojë disiplinën buxhetore.
Rajoy deklaroi të premten se pavarësisht të gjitha përpjekjeve të qeverisë, viti 2012 do të mbyllet me një defiçit vjetor prej 5,8%, më i lartë se norma 4,4% e vendosur si objektiv paraprak.
Kryeministri theksoi se edhe kështu, popullit spanjoll do t’i duhet të përballojë masa të ashpra krusimi. Holanda gjithashtu ka paralajmëruar tejkalimin e normës së vendosur më parë prej 4,1%, me 0,4% më shumë.
”Unë mbështes masat e kursimit dhe jam angazhuar për të reduktuar defiçitin vjetor nga 8,5% në 5,8%”, deklaroi Rajoy.
Në janar, ai miratoi një marrëveshje për të kursyer 8,9 miliardë euro, në të njëjtën kohë që taksat do të rriteshin për një total prej 6,3 miliardë eurosh. Sidoqoftë, analistët parashikojnë që përmbushja e kriterit të kërkuar do të jetë e vështirë për t’u realizuar.
”Spanja ka nevojë të rikthehet sa më shpejt në rritje pozitive ekonomike, ndërsa mbetet thellësisht e varur nga vullneti i mirë i partnerëve të saj kryesorë tregëtarë”, shkruante e përditshmja “El Pais”.
Vendi iberik përballet me një borxh të lartë publik, por mbi të gjitha me një krizë të thellë në sektorin e punës. Midis 27 vendeve të Bashkimit Europian, Spanja ka nivelin më të lartë të papunësisë, me 23,1% ose më shumë se pesë milionë të papunë.
Top Channel