Një sulm vetvrasës në një krahinë të Pakistanit i mori jetën 20 personave, lajmëruan burimet zyrtare ditën e premte.
Ngjarja ndodhi vetëm disa orë pasi dhjetë ushtarë dhe 22 militantë mbetën të vdekur, në luftimet e zhvilluara pranë një kampi terrorist në krahinën e Kiberit.
Talebanët konfirmuan se shpërthimi ishte një akt hakmarrje. Besohet se sulmi ishte vepër e militantëve të Lashkar-e-Islam, një organizatë terroriste me lidhje të afërta me Al-Kaedën.
Mediat ndërkombëtare e kanë të pamundur të verifikojnë lajmin, për shkak të mungesës së aksesit në rajon.
Një sulm madhor ushtarak kundër militantëve u shpall në fillim të janarit nga Islamabadi. Rreth 20 mijë trupa janë duke marrë pjesë në aksionet e përqendruara në krahinën e Peshavarit, që së bashku me Uaziristanin dhe Kiberin është vatër e lëvizjes militantiste.
Top Channel