Iran, pjesëmarrje e lartë në zgjedhje

02/03/2012 21:50

Në përfundim të procesit zgjedhor për anëtarët e parlamentit iranian, televizioni shtetëror në Teheran raportoi një pjesëmarrje prej 65 përqind të votuesve, pjesëmarrje kjo tepër e kënaqshme, që për drejtuesit iranianë përkthehet në besim për politikat e tyre.

Komisioni Zgjedhor raportoi se në orën 21:00 me orën lokale, kur u mbyll edhe procesi, u shfrytëzuan rreth 31 milion fletë votimi, nga 48 milion të tilla të prera në total.

Këto janë zgjedhjet e para në vend që prej protestave të shumta që ngjalli rizgjedhja e Ahmadinejadit në krye të vendit, në vitin 2009. Megjithatë, Partia Jeshile, lëvizja më e madhe opozitare, nuk ka marrë pjesë në votime, pasi liderët e saj mbahen në arrest shtëpie që prej shkurtit 2011.

”Është një e drejtë dhe detyrë për iranianët që të zgjedhin 290 përfaqësuesit e tyre në parlament”, deklaroi lideri supreme, Khamenei, në momentin e votimit. “Për shkak të presionit ndërkombëtar ndaj vendit tonë, është e rëndësishme që sa më shumë njerëz të paraqiten për të votuar, për t’i dhënë kështu një sinjal të fortë të gjithë vendeve perëndimore”.

Ndonëse zgjedhjet janë konsideruar të rëndësishme, është fakt që parlamenti ka fuqi të kufizuara dukshëm në Iran, një shtet ku fuqinë supreme e kanë ajatollahët (liderat fetarë) dhe ku presidenti gëzon një pushtet të gjerë pothuajse të pakufizuar. Rezultati që do të dalë në zgjedhjet e fundit pritet me interes edhe për të parë se kush ka triumfuar në rivalitetin mes presidentit Mahmoud Ahmadinejad dhe Ajatollahut Khamenei. Dy udhëheqësit kryesorë iranianë janë përplasur disa herë politikisht në muajt e fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA