Dorëhiqet Arben Rakipi

02/03/2012 00:00

Presidenti i Komisionit të Apelit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Arben Rakipi ka dhënë dorëheqjen, pas një reagimi të nxituar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së për një vendim të Komisionit të Apelit.

Reagimi i ish-presidentit të Komisionit të Apelit ka qenë i ashpër, si pasojë e njollosjes të imazhit të ish-prokurorit të Përgjithshëm, Arben Rakipi

Më poshtë një pjesë e letrës së zotit Rakipi:

“Në opinionin tim, deklarata është në përputhje të plotë me edukatën e dhunës së injektuar për t’u përdorur në stadiumet tona prej vitesh të tëra, me ndeshjet e trukuara që piketojnë fituesit e aktiviteteve ende pa filluar ai, me gjykimet e manipuluara që dukshëm konstatohen në ndeshjet e kampionatit tonë, edhe përgjatë trajtimit të shkeljeve, e denjë për edukatën qytetare të dhunuesve dhe manipuluesve që forcërisht bëjnë ligjin në fushat e futbollit.

Unë nuk jam mësuar të përdor gjuhë e zakone të tilla, prandaj përsëris se distancohem prej nivelit të saj. Këtë qendrim dhe devocion kam konstatuar të qenësishëm edhe tek koleget e mi, anëtarë të Komisionit të Apelit.

Pas njohjes me deklaratën tuaj, përtej cudisë që vjen prej nxitimit të publikimit të saj ende pa lexuar përmbajtjen e vendimeve tona, përtej pavërtetësisë, edukatës së ulët dhe mosmirënjohjes shembullore që e karakterizon atë, shoh përmbajtjen e saj në raport me vendimet  tona dhe, konstatoj që mospërputhja e qëllimeve të ushtrimit të detyrave përkatëse janë evidente. Unë nuk kam as formimin, vullnetin e dëshirën të ndjek qëllimet tuaja e të vazhdoj të gjendem pjesë e strukturave që ju keni ngritur.

Për rrjedhojë, kuptoni që nuk do të gjendem më, në atë derë.

Krejtësisht pa konsideratë, Arben Rakipi

Tirane, 01.03.2012”.
 

Top Channel