Nuk do t’i pranojmë kurë faljet e amerikanëve për kopiet e djegura të Kuranit në bazën e Bagramit dhe kërkojmë që përgjegjësit të gjykohen për këtë “akt barbar”.
Kështu thuhet në një komunikatë të përbashkët të eksponentëve të lartë fetarë në Afganistan, të lëshuar pas një takimi me presidentin Hamid Karzai.
“Ata që kanë kryer këtë krim duhet të gjykohen në publik dhe të ndëshkohen”, lexohet në komunikatë.
Veprimi i ushtarëve amerikanë ka shkaktuar një valë reagimesh të dhunshme në mbarë Afganistan, që kanë çuar në vrasjen e mbi 30 personave.
Ditën e djeshme dy ushtarë të NATO-s u vranë pasi u qëlluan me armë zjarri brenda një baze ushtarake në jug të vendit.
Ushtarët u qëlluan në provincën e Kandaharit nga një anëtar i Ushtrisë Kombëtare Afgane dhe nga një person tjetër i veshur civil.
Po ditën e djeshme, komandanti i NATO-s në Afganistan, gjenerali John Allen deklaroi se protestat e fundit të shkaktuara nga djegia e Kuranit kanë qenë një “pengesë” në raportet dypalëshe.
Gjenerali Allen tha se bashkëpunimi i misionit të NATO-s me shërbimet afgane të sigurisë do të vazhdojë.
Allen u shpreh se ishte i gatshëm të futej i çarmatosur në selinë e Ministrisë së Brendshme afgane, ku dy këshilltarë ushtarakë të NATO-s u qëlluan për vdekje ditën e shtunë.
Vrasësi i tyre dyshohet se ka qenë një oficer i policisë sekrete afgane. Gjenerali Allen shtoi se reagimi i afganëve pas djegies së librit të shenjtë nuk ishte një surprizë për të.
Personeli amerikan e vendosi Kuranin, që sipas mediave u ishte konfiskuar disa terroristëve, në një pirg mbeturinash që digjeshin në bazën ajrore të Bagramit, në afërsi të Kabulit.
Top Channel