Ashtu si çdo vit, “Big Brother” ka mbërthyer përpara ekranit me qindra mijëra shqiptarë, të cilët dy javë pas fillimit të spektaklit, kanë filluar të formojnë proferencat e tyre dhe të bëjnë tifo për një apo disa prej konkurrentëve në lojë.
Por, si përjetohet rivaliteti i përditshëm brenda shtëpisë më të madhe në Shqipëri, tek të afërmit dhe miqtë e atyre që nuk i njohin konkurrentët si të tillë, por si disa prej njerëzve më të rëndësishëm në jetën e tyre?
Për të diskutuar për këtë, në studion e “Pasdites” në “Top-Channel”, ishin të pranishme Ronela Hajati, këngëtare dhe mikeshë e Gracianos. Gjithashtu Arnita Beqiraj, miss Shqipëria 2010, shoqe me Ermalin dhe Melisa Zaganjori, konkurrente e “The Voice” dhe e thjeshtër e Edgarit.
Ronela: Në “BB”, Graciano po realizon ëndrrën e tij
“Me Gracianon, na ka lidhur puna në festivale që shumë herët. Ai e ka dashuruar baletin dhe që në moshë të vogël ka qenë në shkollën e baletit. Shoqëria jonë e vërtetë ka nisur dy vjet e gjysmë më parë, kur përsëri prapë na lidhi puna. Ai ishte pjesëmarrës në një trupë baleti të këngës sime dhe më pëlqeu shumë si tip”.
Kjo nuk është hera e parë që Graciano tentonte të futej në shtëpinë e famshme. “Ai ka aplikuar edhe më parë për të qënë pjesëmarrës në “Big Brother”. Vjet na gënjeu dhe tha që do të futem. Sivjet s’po e besonim, derisa na njoftoi disa ditë përpara, vetëm shoqërisë së ngushtë…. E ka patur ëndërr “Big Brother”. Besoj se pjesëmarrja e tij në këtë shfaqje do të ndikojë shumë edhe për ta rritur profesionalisht, pasi e ka bërë të njohur dhe pa dyshim, do të kërkohet në trupat e baletit të shumë më tepër këngëtarëve”.
Sipas Ronelës, Graciano është treguar vetvetja vetëm pjesërisht përpara kamerave. “Brenda është një presion ndryshe që ne nuk jemi në gjendje ta kuptojmë si duhet, por besoj se duhet të jetë një stres i madh për një njeri si ai, vërtet emocional. Prandaj jam i sigurt që ka shumë më tepër për të dhënë, mbase ditët e para, strategjia e tij është të mbajë diçka për vete, por ka batuta me të vërtetë të bukura dhe shumë shpejt kam bindjen që do t’i dëgjojnë të gjithë”.
Melisa: Edgari do të shkojë deri në fund
Një tjetër konkurrent që ka fituar shumë vëmendje këto ditë të parë është edhe Edgari. Babai i sulmuesit të kombëtares ka një moshë tjetër nga të gjithë konkurrentët e tjerë dhe kjo e ka vendosur në qendër të vëmendjes.
Për Melisën, konkurrenten e edicionit të parë të “The Voice of Albania”, Edgari është njerku perfekt. “E kam njohur tre vjet më parë, në ditën e 15-vjetorit tim, për shkak të lidhjes me mamanë time. Perosnalisht, më është dukur i njëjti njeri si jashtë ashtu edhe brenda. Kur e njoha, më soli një buqetë të madhe lulesh dhe unë u shtanga nga gjatësia, por më tha që kishte një djalë 196 centimetra të gjatë. Jam me fat, pasi ai është me të vërtetë një njeri shumë i mirë, me të cilën jam shumë e lidhur. Ai më ka shtyrë vazhdimisht në “The Voice”, pasi besonte tek potenciali im, pavarësisht se unë kisha një druajtje dhe pasi fitova audicionet e fshehura më tha që mund të bëja dicka… Unë studioj për piano, por muzika është një pasioni i imi dhe i Edgarit së bashku. Dalim çdo të shtunë me të për të ndjekur muzikë live. Muzika e tij e preferuar është xhazi”.
Sipas Melisës, Edgari ka një armë që të tjerët nuk e kanë: “Ai është në gjendje të përshtatet me çdo lloj brezi. Ka njohuri të mëdha dhe miqtë e mi janë bërë edhe të tijët pavarësisht moshës. Unë mendoj se këto ditë Edi po i teston pak kundërshtarët, provokon pak. Nesër merret vendimi nëse do të jetë apo jo konkurrent dhe nëse përfundimisht do të konfirmohet, do të jetë një pretendent serioz deri në fund. Jam gjithashtu shumë e lidhur edhe me I-xhein (Djalin e Edgarit, Edgar Xhunior), ndonëse nuk shihemi shpesh. Na ka gëzuar jashtëzakonisht me golin që realizoi me kombëtaren. Edi është shumë i lidhur me djalin dhe nuk humb kurrë asnjë ndeshje të tij”.
Arnita: Ermali do t’iu befasojë
Miss Shqipëria në vitin 2010, Arnita Beqiraj është një fanse e zjarrtë e Ermalit, të cilin e ka njohur gjatë konkurrist në të cilin ai u shpall mister. “Për fat të keq, për shkak të impenjimeve të mia nuk e kam ndjekur shumë, por Ermali është i njëjtë si jashtë. Vetbesimi i tij është shumë i madh dhe këtë ia vlerësoj shumë. i hyn gjithmonë një rruge po e diti ku do të dalë dhe edhe në “Big Brother” e di se ku do të dalë. Është ekspresiv, është paksa gjaknxehtë dhe është një mashkull që i pëlqen vetja jo vetëm fizikisht. Sigurinë që ka nuk ia jep vetëm pamja, të cilën e sheh si plus. Ka përvojë jete shumë të mirë, ka jetuar disa vite jashtë. Ai kërkon gjithë kohën shumë nga nga vetja sepse nuk ri dot gjatë pa bërë gjë”.
E pyetur edhe për jetën e saj private, Arnita nuk pranoi, por as mohoi një lidhje të përfolur me kapitenin e kombëtares, Lorik Canën. “Të gjithë ata që janë kuriozë, duhet të presin edhe pak për të mësuar të vërtetën. Këtu kam ardhur vetëm për të folur për Ermalin”, u shpreh ajo.
Top Channel