Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, është duke u rikuperuar mirë nga një operacion që realizoi gjatë javës në Kubë, për heqjen e një mase tumorale.
57-vjeçari foli të enjten nga shtrati i tij në një spital në Havana nëpërmjet rrjetit shoqëror “Tëitter”. “Po fluturoj si një shqiponjë. Ju dërgoj të gjithëve dashurinë time më të madhe. Do të jetojmë dhe fitojmë së bashku”, shkruajti Chavez në statusin e tij.
Sidoqoftë, Chavez nuk qartësoi se kur do të rikthehet në Venezuelë, për të rimarrë në dorë funksionet e kreut të shtetit me 30 milionë banoë. Aktualisht, detyra e presidentit i është ngarkuar zëvendësit Elias Jaua.
Gjatë vitit 2011, Chavez iu nënshtrua dy operacioneve të tjera, përveç disa seancave të kimeoterapisë. Spekulimet mbi stadin e avancimit të tumorit të tij janë të shumta, por ndërhyrja e kësaj jave ka ngritur dyshimet mbi një gjendje më të vështirë nga optimizmi publik, sidomos sepse pas ndërhyrjes së mëparshme, 57-vjeçari e kishte deklaruar veten të shëruar plotësisht.
Venezuela mban zgjedhjet e ardhshme presidenciale në muajin tetor dhe Chavez ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij, ndonëse disa mjekë të pakonfirmuar janë shprehur në mediat ndërkombëtare se ai mund të ndërrojë jetë më parë.
Për momentin, e vërteta mbetet vetëm objekt spekulimesh, pasi kartela e vërtetë mjekësore e presidentit është mbajtur e fshehtë me fanatizëm.
Në një deklaratë të mëparshme publike, Chavez akuzoi shërbimet e fshehta amerikane si shkaktare të tumorit të tij, duke gjetur një lidhje në koinçidencës e prekjes nga kanceri të tre liderve të tjerë amerikanojugorë, pothuajse njëkohësisht.
Cristina de Kirchner e Argjentinës, ish-presidenti brazilian Lula da Silva dhe Presidenti i Bolivisë, Evo Morales, u diagonostikuan edhe ata me tumore në vitin 2011.
Top Channel