Kthehet kombëtarja

01/03/2012 19:55

Pavarësisht rezultatit në ndeshjen me Gjeorgjinë, i gjithë stafi i përfaqësueses dhe drejtuesit e FSHF-së kanë marrë anën pozitive të asaj ndeshje, duke parë kushtet jo shumë të favorshme për zhvillimin e kësaj miqësoreje.

Trajneri De Biezi i stërviti vetëm në një seancë lojtarët që ishin grumbulluar, ndërkohë që një pjesë e tyre debutonin me fanelën kuqezi.

Me mbërritjen në Tiranë, rreth 24 orë pas ndeshjes, trajneri Xhani De Biazi deklaroi: “Ishte një ndeshje të cilën nuk patëm mundësi ta përgatisnim. Nuk arritëm ndoshta të punonim si duhet nga këndvështrimi taktik, por nga ana psikologjike skuadra ishte shumë e karikuar. Dua të them se pjesa e parë ishte e mirë për ne, ndërsa në pjesën e dytë humbëm terren, nuk treguam personalitet dhe nuk arrinim të kontrollonim topin”.

Duke u ndalur tek rezultati, italiani shtoi: “Sa i përket rezultatit, mund të them se goli i dytë që i dha fitoren Gjeorgjisë, në momentin e goditjes së fundit një tjetër lojtar ishte në pozicion jashtë loje. Sigurisht që kemi shumë punë për të bërë, por nga kjo ndeshje unë pashë gjëra pozitive dhe jam i kënaqur nga reagimi i lojtarëve. Duhet të përmirësohemi në nivelin e lojës, duhet të mos kemi frikë kur luajmë, duhet t’i shfrytëzojmë mirë disa situata sulmuese. Megjithatë jam i bindur se ky është një hap i parë për të shkuar larg”.

Sa i përket ndeshjes miqësore me Spanjën që përflitet të zhvillohet më 30 maj në Zvicër, trajneri italian shtoi:
“Nuk kemi asgjë për të humbur, mund të luajmë përballë kampionëve të botës. Në një ndeshje të tillë vetëm mund të mësosh”.

I kënaqur deri diku ka qenë nga kjo ndeshje edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, por nuk kanë munguar rezervat dhe kritikat për rezultatin.

“Ndeshja i shërbeu qëllimit që ka ekipi për eliminatoret e 2014. i shërbeu sepse dolëm në pah disa gjëra negative që stafi duhet t’i korrigjojë. Nëse hyjmë në detaje teknike, në atë rastin e penalltisë së dytë, mbrojtja s’mund të lejonte sulmin të godiste katër herë pa larguar topin nga zona”, tha Duka.

Ndërkohë, ndeshja miqësore me Spanjën, për momentin mbetet e pakonfirmuar sipas presidentit.

“Jemi pothuajse në përfundim të një marrëveshjes, por jo në Shqipëri, në Zvicër”, përfundoi presidenti i FSHF-së.

Top Channel