Fundi i “Sopranos” befasoi edhe vetë aktorët e përfshirë në serialin e suksesshëm amerikan, të transmetuar të plotë në ekranin e “Top-Channel”.
Protagonisti kryesor i serialit që vendoste në qendër të dramës jetën personale dhe konfliktin psikologjik të një bosi të mafias italiane në Nju Jork, interpretuar nga James Gandolfini, pranoi se kishte imagjinuar një tjetër fund pas shumë vrasjesh dhe peripecish në gjashtë sezonet e serialit.
”Kur pashë skenarin kujtova se po talleshin”, u shpeh aktori, i njohur gjerësisht me emrin e tij në serial, Tony Soprano. “Megjithatë, pasi u mendova gjatë dy ditë, kuptova se asnjë fund nuk do të kishte qenë perfekt dhe se ajo mbyllje ishte më e mira”.
Seriali që grumbulloi disa çmime “Emmy” dhe “Golden Globe”, mbylli 86 seritë e tij me familjen Soprano që ribashkohej e gëzuar në një tryezë.
Ky ishte epilogu i një lufte të gjatë brenda klaneve të mafies dhe me policinë, beteja të cilave familja Soprano i mbijetoi e paprekur.
Lorraine Bracco, e cila interpretoi rolin e psikologes Jennifer Melfi, pranoi gjithashtu se fillimisht kishte mbetur e zhgënjyer nga përfundimi. Në një intervistë për “Vanity Fair”, ajo u shpreh: “Njerëzit më ndalonin në rrugë pas serisë së fundit dhe më pyesnin se mos nuk e kishin kuptuar si duhet fundin. E vërteta është që edhe mua në fillim më befasoi ajo mbyllje, por pesë vjet më pas, jemi ende duke folur dhe kjo flet vetë për suksesin e “The Sopranos””.
Top Channel