Ndonëse dobësia e George Clooney për femrat e bukura është e njohur, me partneren Stacey Kiebler që bie në sy për hiret e saj, pasi është shoqëruar në të shkuarën edhe me modelet Lisa Snowden apo Elisabetta Canalis, zërat për një homoseksualitet të përfolur të 50-vjeçarit nuk kanë pushuar kurrë.
Në një intervistë për një revistë amerikane për homoseksualët dhe lesbiket, Clooney iu përgjigj për herë të parë pyetjes mbi tendencat e tij seksuale.
“Nuk më ka interesuar asnjëherë se çfarë kanë menduar njerëzit për seksualitetin tim dhe nuk do të mohoj kurrë nëse jam ose jo homoseksual, sepse kjo do të ishte e pandershme dhe e padrejtë ndaj miqve të mi të shumtë që kanë bërë zgjedhje jete. Mua nuk do të më shihni ndonjëherë që të dal dhe të them, jo, këto janë gënjeshtra. Nuk dua që të them deklarata që nënkuptojnë se të jesh gay është diçka e keqe”.
Në vazhdim të intervistës së tij, Clooney shtoi: “Jeta ime private ka qëndruar gjithmonë private dhe për këtë jam i kënaqur. Cilin do të dëmtonte fakti që dikush mund të mendojë se unë jam gay? Jam i sigurt që edhe pasi të vdes do të vazhdojë të përflitet për zgjedhjet e mia seksuale, prandaj realisht as që më intereson”.
Clooney, i cili është mbrojtës i të drejtës së komunitetit gay për t’u martuar, thotë se qëndrimi konservator i autoriteteve është arkaik dhe jashtë kohëve në të cilat jetojmë.
Top Channel