Boks, Vitali Klitschko për kryebashkiak në Kiev

01/03/2012 09:35

Kampioni botëror i boksit i peshave të rënda, Vitali Klitschko, ka njoftuar se do të prezantojë kandidaturën për kryebashkiak të Kievit në zgjedhjet e ardhshme, të cilat ende nuk kanë një datë të caktuar se kur do të mbahen.

Boksieri e bëri të ditur lajmin gjatë një interviste për televizionin ukrainas ‘Canal 5’.

“E kam thënë gjithmonë se Kievi nuk mund të vazhdojë të jetojë ndryshe nga pjesa tjetër e Ukrainës. Do të prezantohem në zgjedhjet e ardhshme sepse reformat duhet të fillojnë në Kiev fillimisht”, theksoi Klitschko i cili më 18 shkurt mbrojti kurorën e tij pasi mundi me pikë britanikun Dereck Chisora.

Boksieri shtoi gjithashtu se partia e tij do të marrë pjesë edhe në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në tetor të këtij viti.

“Do të fitojmë vendet tona në Parlament dhe së bashku me opozitën do të jemi shumicë”, shtoi ai që quhet “Grushti i Hekurt”.

Të gjitha sondazhet e japin favorit Klitschkon për fitore në zgjedhjet për kryebashkiak.

Top Channel