Topi viziton Katarin

28/02/2012 19:35

Prej disa kohësh vendet e Gjirit Persik janë në modë në Perëndim. Vende që kanë njohur një zhvillim të madh, një bum ndërtimesh dhe janë mbuluar nga luksi; vende si Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe apo Katari. Në Katar, nuk është aspak e tepruar të thuhet se për momentin në modë është Shqipëria.

Për arsye jo fort të rrokshme, prej disa kohësh Emiri i Katarit, sheik Hamad bin Khalifa Al-Thani ka një dobësi për Shqipërinë. Fakt është se ndonëse marrëdhëniet mes dy vendeve janë vendosur në gusht të vitit ‘92, vetëm në dy vitet e fundit niveli i marrëdhënieve politike ka pasur një hov të jashtëzakonshëm: të dy vendet kanë hapur ambasada në kryeqytetet respektive, në janar të vitit të kaluar Katari njohu Kosovën, gjatë kësaj kohe Emiri i Katarit vizitoi Tiranën, ndërkohë që Dohan e kanë vizituar ministri shqiptar i mbrojtjes, kryeministri, Presidenti i Republikës dhe vetëm pak ditë më parë, edhe kryetari i bashkisë së Tiranës.

Për Presidentin Bamir Topi, kjo është vizita e dytë në Doha, por e para vizitë zyrtare, me ftesë direkte të Emirit. Këshilltarët diplomatikë dhe ambasada jonë këtu i kanë dhënë Presidentit një dosje me subjekte për të diskutuar. Cështja është se katarezët janë të gatshëm të investojnë në Shqipëri, por duan projekte konkrete. Vendi ka para për të investuar, sepse ka një suficit prej 7 mld dollarë për vitin e shkuar dhe ka prodhimin e brendshëm bruto për frymë më të lartin në botë, më shumë se 80 mijë dollarë në vit. Tërë këtë pasuri vendi ia dedikon naftës që nxjerr, 1.1 mln fuci në ditë dhe rritjes së cmimit të gazit.

Me Shqipërinë janë nënshkruar 10 marrëveshje, që nga marrëveshja e bashkëpunimit ekonomik e deri te binjakëzimi i Dohas me Tiranën dhe janë në proces edhe 6 marrëveshje të tjera.

Në takimin me Emirin, Presidenti e falenderon posacërisht për gatishmërinë e Emirit për të financuar projektin e Bashkisë së Tiranës për të zgjatur bulevardin Zog I përtej stacionit të trenit deri në Paskuqan. Kurse gjatë drekës jozyrtare me këshilltarët e presidentit, ministri i transporteve dhe i pushtetit lokal i telefonon direkt kryebashkiakut Basha.

Emiri i Katarit i përsëriti Presidentit të Republikës vullnetin e vendit të tij për të investuar në Shqipëri. Një vend që mund të jetë porta e Ballkanit për Katarin dhe që me një traditë muslymane, e bën ndoshta më të lehtë investimin.

Në kohën e një krize globale, kur Amerika nuk ka skrupuj të kërkojë vazhdimin e impenjimit të Kinës në ekonominë amerikane nëpërmjet blerjes së bonove të thesarit amerikan, Shqipëria mund të luajë fort kartën e përkatësise së saj në Organizaten e Konferencës Islamike. Tek e fundit, nuk thonë kot, paraja është si uji, pa ngjyrë.

Por katarezët janë në radhë të parë biznesmenë. Për të investuar ata kanë nevojë jo për projekt-ide, po për projekte konkrete. Pra do të varet nga qeveria shqiptare se sa e zonja do të jetë ajo për të përthithur investimet katareze. Kjo do të shihet në fund të marsit, kur Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto do të zhvillojë këtu një vizitë për të paraqitur 9 projekte konkrete.
 
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA