Presidenca daneze nuk mendon se gjërat mund të ecin shpejt në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për statusin kandidat.
I pyetur nga Top Channel se a ka shënuar Shqipëria progres të mjaftueshëm në mënyrë që të konsiderohet dhënia e statusit kandidat gjatë apo deri në fund të kësaj presidence, ministri danez për çështjet europiane u përgjigj.
Nicolai Wammen, Ministri danez për çështjet europiane: Ne mirëpresim të gjithë hapat e ndërmarrë nga Shqipëria për të promovuar reformat, demokracinë dhe stabilitetin në Europë. Në këtë kuadër, ne shpresojmë të jemi të aftë të vijojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë me Shqipërinë. Unë nuk mendoj se dikush e sheh këtë si një çështje që do të avancojë shpejt, por Presidenca mirëpret përpjekjet e Komisionerit Fule dhe të tjerëve në Komision për mardhënien tonë të ngushtë me Shqipërinë.”
Top Channel pyeti edhe Komisionerin për Zgjerim Stefan Fule, se cilat janë sfidat madhore që duhet të plotësojë vendi për të kapur ritmin e integrimit të fqinjëve në rajon.
Stefan Fule, Komisioneri europian për zgjerim: “Për Shqipërinë më lini të shtoj se rregullat e lojës janë të qarta. Ka pasur një numër rekomandimesh kyçe dhe implementimi i këtyre rekomandimeve është në të vërtetë kyç për Shqipërinë, si për të marrë statusin kandidat njësoj edhe për të çelur negociatat për anëtarësim. Dhe kurdo që të na vijë informacioni se Shqipëria ka dhënë rezultat mbi ato 12 rekomandime kyçe, atëhrë do të informojmë dhe do t’i raportojmë Këshillit Europian, me rekomandimet e duhura për miratimin e hapave të radhës. Sfidat për Shqipërinë janë: që të ndërtojë, me frymë gjithpërfshirëse, mbi reformat e arritura në nëntor të vitit të kaluar. Kam parasysh këtu reformën legjislative mbi zgjedhjet, flasim për një qasje të re ndaj atyre 12 kritereve kyçe, duke e kthyer këtë proces në një proces të vërtetë gjithpërfshirës, ku edhe qeveria por edhe opozita luan rolin e saj, si edhe aktorë të tjerë të rëndësishëm luajnë rolin e tyre; por gjithashtu në mënyrën sesi qeveria dhe opozita punojnë sëbashku në parlament, veçanërisht përsa i përket legjislacionit që kërkon një shumicë prej 2/3 për t’u miratuar; si edhe mbi çështjet që janë të lidhura qartë me axhendën europiane.”
Shqipëria aplikoi për anëtarësim në prill të vitit 2009, ndërkohë që statusi kandidat i vendit nuk është marrë ende në konsideratë për shkak të mosplotësimit të kritereve kyçe të caktuara nga Komisioni Europian.
Top Channel