Në seancën e dytë në ngarkim të 16 të akuzuarve për skandalin e naftës “virgin”, shumica e të pandehurve i kërkuan gjykatës gjykim të shkurtuar duke e pranuar akuzën e prokurorisë.
Gjykimin e shkurtuar e kërkuan të gjithë shoferët e akuzuar për moskallzim krimi, të cilët ishin gjithashtu të pranishëm në sallë.
Ndërkohë, avokati i biznesmenit Iliaz Fisheku, nën akuzë për pastrim të produkteve të veprës penale, kërkoi jo vetëm gjykim të shkurtuar, por edhe vecim të dosjes nga pjesa tjetër. Po kështu edhe ish-punonjësi i Anti-kotrabandës, Arjan Daci kërkoi gjykim të shkurtuar dhe vecim të dosjes.
I pandehuri Dashamir Kasaj nëpërmjet avokatit të tij, Gëzim Veleshnja kërkoi vetëm vecim të dosjes.
Prokuroria kërkoi kohë të njihej me materialet dhe të japë mendimin për kërkesën e të pandehurve.
Tashmë mbeten pa shprehur kërkesat paraprake katër të pandehur, mes të cilëve edhe Hajri Elezaj i akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda dhe që me sa duket do të gjykohet me përfaqësimin e avokatëve, pasi vetë ai rezulton të jetë i arratisur.
Në kërkesën për gjykim, prokuroria pretendon se një sasi prej mijëra tonë nafte bruto, nuk është eksportuar jashtë vendit, sic thuhet në dokumente, por është shitur në Shqipëri e përzier me naftën e importit.
Kjo gjë sipas prokurorëve ka shkaktuar jo vetëm evazion fiskal, por ka sjellë edhe dëm tejet të madh për qytetarët të cilët janë mashtruar duke blerë naftë të papërpunuar.
Top Channel