Sistemi i ri zgjedhor

28/02/2012 15:50

Ambasadori i OSBE-së Eugen Wolfarth, në një intervistë për Top Channel, deklaroi se vonesat në përfundimin e reformës elektorale dhe asaj parlamentare do të kërkojnë shtyrjen e afatit.

Diplomati i OSBE-së nxiti palët të shpejtojnë punën, por sic theksoi ai, më e rëndësishme është një proces pozitiv se sa koha e relizimit të tij.

Top Channel: Duket se “historia e dashurisë” mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, që filloi në nëntor, nuk zgjati shumë. Si e shihni situatën e tanishme, kur të dyja partitë po akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë vullneti politik në çuarjen përpara të reformave, veçanërisht të asaj parlamentare?

Ambasadori Wollfarth: Vullneti politik për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare është kyç. Jemi në një kohë kritike. Do të tregohesha i kujdesshëm që të mos e quaj “histori dashurie” apo diçka të ngjashme. Mendoj se një term i tillë do të ishte i tepërt të përdorej për cilëndo pjesë të asaj periudhe, por mund të quhet një periudhë përkushtimi. Ka shumë rëndësi që kjo kohë kritike të përdoret sa më mirë, duke u angazhuar plotësisht me propozime të mira dhe respekt reciprok.

Top-Channel: Ambasador, a mendoni se të dyja partitë po vonohen për reformën zgjedhore, duke pasur parasysh se afati i komisionit merr fund në fillim të marsit?

Ambasadori Wollfarth: Bashkë me partnerët e mi ndërkombëtarë do të doja të shihja zgjidhje të hershme. Megjithatë, përmbajtja është më e rëndësishme se koha, është më i rëndësishëm diskutimi i mirë dhe konstruktiv dhe propozimet për zgjidhje cilësore afatgjata. Kjo është më e rëndësishme sesa të bëhet një punë e nxituar. Në këtë kontekst, ne nuk kemi arritur plotësisht aty ku donim të ishim. Për këtë arsye, një shtyrje e afatit duket shumë e nevojshme. Megjithatë, çdo orë e çdo dite të çdo jave që tani e tutje duhet përdorur në mënyrë konstruktive.

Top-Channel: A jeni i shqetësuar për faktin se të dyja partitë po akuzojnë njëra-tjetrën për mungesë vullneti politik në përmbushjen e detyrës?

Ambasadori Wollfarth: Deri diku, është e rëndësishme që ata duket se e kanë kuptuar që kjo është çështja thelbësore. Megjithatë, ata duhet të kthejnë vështrimin edhe nga vetja për të parë a po tregojnë vullnet të mjaftueshëm politik në proces. Është një fushë loje, ku nevojitet bashkëpunim konstruktiv nga të gjitha anët.

Top-Channel: Partitë e vogla janë shptrehur për nevojën e një korrektimi kombëtar të sistetmit zgjedhor. E mbështesni një kërkesë të tillë?

Ambasadori Wollfarth: Demokracia lejon një gamë të gjerë sistemesh zgjedhore. Ka shumë shembuj në botën demokratike dhe shqiptarët – partitë shqiptare dhe populli shqiptar – duhet të vendosin se cilin sistem parapëlqejnë. Është e vështirë ta lidhësh çështjen e sistemit me atë të reformës së Kodit Zgjedhor, sepse janë dy nivele të ndryshme: ndërsa sistemi është në nivel kushtetute, për reformën zgjedhore mjafton një ligj relativisht i zakonshëm, që nuk prek Kushtetutën. Kjo është një çështje më vete, ndonëse shumë e rëndësishme. Përfitoj nga rasti të ritheksoj ftesën për palët shqiptare që të mblidhen e të diskutojnë edhe për këtë, por duke u përqendruar te reforma e Kodit Zgjedhor. Mendoj se këto janë rezultate që u nevojiten për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme.

Top-Channel:
Nëse 52 rekomandimet e OSBE-ODIHR të dala nga zgjedhjet e 2009-tës dhe 2011-tës nuk do të jenë pjesë e kodit të ri zgjedhor, mendoni se përsëri do të kemi një kod të calë, jo të plotë?

Ambasadori Wollfarth: Kjo varet nga partnerët shqiptarë. Është një ligj shqiptar, është një kod zgjedhor shqiptar dhe, sigurisht, që zgjidhja, hapat e tjerë vijues, duhet të vijnë nga pala shqiptare. Disa nga rekomandimet janë të domosdoshme, disa janë fakultative dhe pikërisht për këtë është edhe procesi në komisionin e posaçëm. Më vjen mirë që që prej nëntorit, dhe sidomos që në kohën e fillimit të punës, që procesi është në rrugë e sipër. Mund të isha më i lumtur, po të kisha parë një progres edhe më të shpejtë, megjithatë disa zgjidhje janë propozuar tashmë. Shohim që jemi në mes të procesit dhe unë do t’i ftoja të dyja palët që të përshpejtonin punën dhe që të ishin sa më konstruktive. Kemi parë propozime konstruktive nga ana e PS-së, duam që të shohim gjithashtu propozime shumë konstruktive nga ana e PD-së; kur këto vijnë si nga shumica ashtu edhe nga opozita, atëherë jemi më pranë një reforme të Kodin Zgjedhor që meriton të quhet e tillë.

Top-Channel: Një sondazh I faqes online të Top-Channel tregon se 79% e atyre që kanë votuar mendojnë se konsensusi arritur në Nëntor ndodhet në një moment të rrezikshëm. Bini dakort me këtë përfundim?

Ambasadori Wollfarth: Nuk do ta përdorja atë term; është në një moment kyç. Siç e thashë të dyja palët duhet të jenë konstruktive dhe, po ashtu, duhet që koha të përdoret mirë, të mos shtyhen takimet. Ndoshta do të ishte mirë që të merrej parasysh edhe mbajtja e takimeve të përditshme. Sigurisht, ka nevojë për një kohë të caktuar për të përgatitur mirë propozimet, por duhet përshpejtuar procesi dhe të përdoret mirë koha, për të arritur në rezultate të shpejta dhe të diskutuara mirë, me të cilat të bien dakord të dyja palët.

Top-Channel:Një grup ekspertësh  të ODIHR-it ka mbërritur në Tiranë. Cili është misioni i tyre dhe cfarë duan të arrinë?

Ambasadori Wollfarth: Ata mbështesin parlamentin në nxitjen e reformave. Gjëja më e rëndësishme është që duhet mbajtur parasysh që bëhet fjalë për një reformë shqiptare, që shqiptarët kryesojnë, deputetët shqiptarë në komisionet përkatëse dhe jo ndërkombëtarët, as OSBE/ODIHR-i dhe as ndonjë tjetër. OSBE/ODIHR-i po ndihmojmë nëpërmjet këshillave. Zgjidhjet, propozimet, arritjet, që shpresoj t’i shoh shpejt, duhet të vijnë nga pala shqiptare, në mënyrë që të jenë të qëndrueshme dhe afatgjata. Reforma parlamentare është thuajse në të njëjtin nivel. Pra, na duhen të dyja për ta çuar demokracinë në Shqipëri akoma më përpara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA