Prishet konsensusi për Kodin

28/02/2012 15:15

Pas 4 orë debatesh të nxehta, në Komisionin e Ligjeve ka ndodhur ajo që nuk duhej të ndodhte. Ndryshimet në Kodin Penal, kanë përfunduar duke marrë vetëm votën e mazhorancës edhe pse deri tani ndryshimet ishin miratuar me konsensus përgjatë tre javëve, me rreth 20 orë diskutime publike intensive.

Por këto statistika të orëve të kompromisit, tani nuk duken dhe aq të vlefshme. Palët u ndanë përfundimisht tek amendamenti i fundit në diskutim, i propozuar nga Partia Socialiste dhe që kishte të bënte me ndëshkimin penal të falsifikimit të statistikave zyrtare.

Mazhoranca e ka kundërshtuar që në fillim këtë amendament me argumentin se ai jo vetëm është i panevojshëm, pasi falsifikimi i dokumenteve është vepër penale në kodin aktual, por edhe sepse kjo është një shpikje shqiptare që nuk ekziston në asnjë Kod Penal të vendeve të Bashkimit Europian.

Por socialistët këmbëngulën në amendamentin e tyre, me argumentin se ky nen parandalon falsfikimin eventual të statistikave, gjë që do të dëmtonte ekonominë e vendit.

Debati për këtë pikë zgjati më shumë se 1 orë, edhe pasi socialistët vunë kusht se pa miratimin e këtij amendamenti ata nuk do të miratonin ndryshimet e bëra deri tani me konsensus, gjë që nga demokratët u intepretua si veprim i paramenduar për të mos dhënë konsensus.

Fatmir Xhafa: Ne kemi ngritur një shqetësim: duam të parandalojmë qytetarët që mbi saktësinë, mbi ndershmërinë duan të spekulojnë për interesat politike të ditës. Për këto motive e kemi.

Ilir Rusmali: Komisioni Europian ka konstatuar se statistikat në Shqipëri janë të varfëra dhe me nivel të ulët. Për këtë reagimi nuk është me burg, reagimi është administrativ për të pasuruar këto statistika.

Dy drejtuesit e komisiomit nuk gjetën kompromis as për mënyrën se si ky amendament mund të diskutohej nga palë të tjera. Demokratët kërkuan kohë që amendamenti të shqyrtohej me ekspertë dhe ta diskutonin më vonë, ndërsa socialistët kërkuan diskutimin e tij nga Komisioni i Ekonomisë dhe i Integrimit.

Përfundimi ishte mungesa e konsensusit në minutën e fundit, edhe pse kur filloi punën komisioni në mëngjes, një shpresë kompromisi u duk se mund të kishte, kur socialistët, pas një debati të ashpër me demokratët e tërhoqën nga paketa e tyre me 13 pika, amendamentin e parë për marrjen nën përgjegjësi penale të Këshillit të Ministrave.

Fatmir Xhafa: Nëse ju na thoni që duam të bëjmë kështu atëherë bëjeni kështu. Ne po ju ndihmojmë të mos ngrini mur. Ne nuk e votojmë këtë kod.

Pas fjalës së Xhafës, kreu demokrat i Komisionit të Ligjeve ka hedhur Kodin në votim. Ai është miratuar vetëm me votat e mazhorancës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA