Messi dorëzohet: Vështirë të kapim Realin

28/02/2012 08:30

Pasi ka mbërritur në Zvicër për të luajtur një ndeshje miqësore me kombëtaren argjentinase ndaj vendasve, Leo Messi ka folur për aktualitetin për një program të radios ‘La Red’.

Ylli argjentinas u tregua realist duke u shprehur se është shumë e vështirë që “Barcelona të arrijë Realin e Madridit në krye të klasifikimit”.

“Ata janë shumë të fortë dhe neve nuk na mbetet gjë tjetër të luftojmë deri në fund, por 10 pikë diferencë janë shumë”, theksoi Messi.

Edhe pse ka fituar tre vite rresht Topin e Artë dhe konsiderohet si futbollisti më i mirë i momentit, numri 10 i katalanasve deklaron se ka ende gjëra ku duhet të përmirësohet.

“Mundohem të përmirësohem nga njëra ndeshje në tjetrën. Dua që të mbaj këtë nivel dhe të përmirësohem në gjërat ku kam mangësi”, theksoi Messi.

Nuk mund të mungonte edhe një mendim për Argjentinën: “Ëndërroj me sy hapur sikur ngre Kupën e Botës. Është qëllimi im të fitoj botërorin e vitit 2014. Do ndërroja Topin e Artë për një trofe të tillë.”

Argjentina do të luajë miqësoren ndaj Zvicrës të mërkurën në orën 20.30.

Top Channel