“Hetim fondeve per pronat”

28/02/2012 15:45

Opozita kërkoi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë hetim për mënyren e përdorimit të fondeve që qeveria ka marrë nga ndërkombëtarët për reformën e pronave.

Arben Malaj tha se çështja e pronave është një nga dështimet më të mëdha të qeverisë pavarësisht se për të janë shpenzuar miliona dollarë.

“Komisioni duhet t’i drejtohet me letër Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe t’i kërkojë që të hetojë të gjitha donacionet për këtë ligj dhe projeket që ka paguar Banka Botërore e që po paguan ende Bashkimi Europian. Duhet të bëhet analiza përse nuk kanë dhënë efikasitet masat”.

Kjo kërkesë hapi debate të forta në komision, ku demokratët thonë se nuk mund të hetojnë paratë e donatorëve dhe se ata që kanë abuzuan me pronat janë socialistët gjatë qeverisjes së tyre.

“Këto janë insinuata që ju bëni për donatorët, por e dini shumë mirë se ne nuk ndajmë të njëjtin qëndrim me ju në lidhje në këtë pikë. Mendojmë se ndihma që kanë dhënë donatorët ka qenë efektive, bujare dhe madje duhet thënë që duhet t’i jemi mirënjohës për këtë. Paratë janë përdorur në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh Edmond Spaho, kryetar i Komisionit të Ekonomisë.

“Mos harroni se në kohën kur keni qeverisur janë dhënë me mijëra tituj pronësie që kanë rezultuar falso. Pra, në kohën që ju keni drejtuar është bërë një kasaphanë në drejtim të pronave, por sot vjen era ligj, era shtet dhe era transparencë”, shtoi demokrati Flamur Noka.

“Në të gjitha indekset për Shqipërinë, prona vazhdon të konsiderohet me pikët më të ulta”, u kundërpërgjigj Malaj, duke kundërshtuar pohimet e kolegut të tij demokrat. “Ajo quhet liri e shtypur, pra liri që pengon zhvillimin ekonomik të një vendi. Jemi një vend që duam të bëhemi një vend kandidat për Bashkimin Europian dhe pas 20 vitesh tranzicioni, vazhdojmë të kemi renditjen më të dobët. Në këët aspekt, diskutimi i shpejtë i ligjit apo justifikimi i çdo qëndrimi që keni mbajtur ju si qeveri, do të na çojë në të njëjtën eksperiencë të dështuar”.

Në fund, komisioni miratoi me votat e demokratëve një ligj të ri, i cili synon që brenda vitit të ardhshëm të regjistrojë të gjitha pasuritë e paluajtshme në mënyrë elektronike.

Drafti e shndërron zyrën e regjistrimit të pasurive në një agjenci me vetëfinancim, e cila do të drejtohet nga një bord ku do të marrin pjesë edhe dy ministra të qeverisë, ai i drejtësisë dhe i financave  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA