Në një konferencë për shtyp, ku nuk bëri asnjë deklaratë, por mori vetëm pyetje nga gazetarët, gjë që do ta kthejë në një komunikim periodik, kryeministri Sali Berisha, në një analizë të gjatë të veprimeve të opozitës, gjeti tek kryetari i socialistëve, Edi Rama, përgjegjësin e vetëm për bllokimin e statusit të vendit kandidat.
Edhe prishjen e konsensusit në Komisionin e Ligjeve, kryeministri Berisha e shpjegoi si bllokim artificial nga zoti Rama, që sipas kryeministrit ka për qëllim vlerësimin negativ të vendit nga Brukseli, meqë sic thotë zoti Berisha, Edi Rama është i bindur se shqiptarët do të vazhdojnë ta dënojnë duke e lënë në opozitë.
“Platforma e neo-bllokut është vetëm bllokim. Cfarë t’u thotë kryeministri kur bëni gjithçka për të bllokuar Shqipërinë. Dhe kjo ndodh pikërisht javën që në Bruksel do të bëhet vlerësmi për ecurinë e procesit të reformave të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe rezulton se në Shqipëri, raportohen reformat sërish janë të bllokuara. Sot zoti Rama doli dhe po fliste për Serbinë, Shesheli ishte një armik i egër i shqiptarëve por nuk bënte kurrë ndonjë përpjekje për të bllokuar Serbinë në integrim. Absolutisht zgjidhje tjetër, përveç zgjedhjeve të qershorit të vitit 2013, unë personalisht nuk shoh”, tha Berisha.
Kjo klimë, ku tani është vënë në pikëpyetje cdo kompromis, pa asnjë dyshim do të ndikojë në rëndimin e saj, pas muajit maj, kur të nisë zgjedhja e presidentit të ardhshëm.
Megjithëse e përkufizoi këtë proces si jo konfrontues, por kushtetues, kryeministri nuk hoqi dorë nga ideja se mazhoranca do të paraqitet në parlament me kandidatin e saj.
“Nuk është çështja e qëndrimeve ndaj zotit Topi si person, por ndaj Presidencës si institucion. Në respket të institucionit të Presidencës, emri do të dalë atëherë kur e përcakton Kushtetuta”, theksoi Berisha.
Kryeministri, i cili tha se nuk shikonte arsye për ndryshime në qeveri dhe se do t’i bënte ato vetëm nëse e kërkon LSI, për herë të parë komentoi edhe largimin e zotit Oketa nga grupi parlamentar. Duke deklaruar se zoti Oketa nuk ka ngritur kurrë asnjë cështje në grup dhe se cdokush brenda grupit është shprehur dhe do të shprehet i lirë për cdo cështje, kryeministri Berisha e gjeti arsyen e divorcit, sic u shpreh ai, tek presidenti Topi.
“E vetmja keqardhje që kam që u largua, hyri si përfaqësues i një brezi të ri dhe u largua si një Namik Dokle nga PD-ja. Ndodhi në vitin 1991, kur kurban për Ramiz Alinë u bë Namik Dokle, që pranoi të marrë vetëm votën e tij. Ndodhi edhe tani që Gazmend Oketa bëhet kurban për Bamir Topin të marrë vetëm votën e tij. Oketa këtë nuk duhej t’ia bënte vetes së tij”, tha kryeministri Berisha.
Por a ka informacion kryeministri për largime të tjera nga grupi dhe si i ka bërë ai llogaritë për të ruajtur elektoratin nga partia e qendrës së djathtë të zotit Topi? Këtyre pyetjeve të Top Channel, kryeministri Berisha preferoi t’i përgjigjet me batutë.
“Partia që votoi për Edi Ramën edhe i vëllai i tij ka votuar për ne. Flamuri ka votuar dhe do të votojë për mua”, tha Berisha.
Top Channel