OSCAR, jo vetëm ‘betejë’ për trofe

27/02/2012 00:00

Përpos të qenit një ceremoni në të cilën të nominuarit janë në pritje të fituesit të trofeut, çmimet OSCAR janë shndërruar veç të tjerash edhe në një pasarelë unike për të famshmet, apo më mirë thënë në një ‘betejë’ fustanesh.

Veshja e tyre komentohet jo pak, madje sytë e të gjithëve janë drejtuar nga ato, të famshmet të cilat për këtë ceremoni kurohen me shumë kujdes.
Por cilat janë të famshmet që janë veshur më bukur dhe cilat prej tyre kryesojnë listën e fustaneve të shëmtuar të përzgjedhura për këtë ceremoni?

Në listën e të famshmeve të cilat janë veshur si mos më mirë gjenden Michelle Williams, e nominuar kjo në kategorinë e aktores më të mirë, Natalie Portman e cila rikthehet në formë perfekte pas sjelljes në jetë të fëmijës së parë dhe Cameron Diaz.

S’mund të mbeten pa përmendur Jennifer Lopez, fustani i së cilët është etiketuar si ndër më të bukurit në këtë ceremoni. Lopez dukej e mahnitshme me fustanin e saj në nuancë gati unike të panas. I dizenjuar nga Zuhair Murad, kjo veshje ishte perfekte për fizikun e Lopez duke i treguar perfekte shpinën e fundshpinën e saj.

Nuk mbetet pas as fustani i Gwyneth Paltrow, Angelina Jolie, Jessica Chastain dhe Kelly Osbourne. Edhe biondja Cameron Diaz është shfaqur e jashtëzakonshme me fustanin e saj Gucci.

Sandra Bullock është shfaqur pak e zhgënjyer nga Marchesa që i kishte besuar realizimin e fustanit të saj. Rooney Mara ishte e veshur në të zeza në këtë ceremoni ku ishte e pranishme për herë të parë dhe këtë radhë e nominuar në kategorinë e aktores më të mirë.

Ajo ka rrëfyer se njerëzit mund të thonin ç’të donin për fustanin e saj të cilit i kishte kushtuar vetëm pak rëndësi, fustan që pohoi se e kishte blerë vetëm pak orë përpara ceremonisë.

Sharmante është shfaqur Penelope Cruz me një pamje prej princeshe të veshur në blu, që mbante vulën Georgio Armani. Ndërsa për atë që triumfoi në këtë edicion të 84-t të çmimeve OSCAR, Meryl Streep, fjalia e vetme që është thënë sa i takon veshjes është: “Duket 20vjet pas në kohë”, cka do të thotë se fustani i saj jo vetëm që nuk kishte lidhje me tendencën e momentit por dukej një veshje e nxjerrë nga një garderobë e 20 viteve më parë.

Këto janë vetëm pak ndër komentet e para për veshjet e të famshme në ceremoninë më të rëndësishme të vitit të çmimeve kinematografike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA