Përfaqësuesit e Forumit të Trashëgimisë Kulturore i kanë kërkuar deputetëve të komisionit të medias dhe arsimit ndalimin e nismës së Ministrisë së Kulturës, e cila kërkon të japë me konçesion monumentet e kulturës.
Artan Lame ka theksuar se dëmet që mund t’i shkaktohen këtyre monumenteve janë të parekuperueshme.
“Po u bë dëmi, nuk ka kthim pas. Është absurde të përdoret legjislacioni ekzistues për t’i dhënë me qera”, ka deklaruar Lame.
Lame ka vlerësuar se kjo nismë pret të marrë jetë në kalanë e Lezhës, një nga më të rëndësishmet për trashëgiminë shqiptare dhe ku arkeologët duhet të bëjnë gërmime të mëtejshme.
“Një pjesë e atyre që janë dhënë me qera kanë treguar se janë jashtë kontrollit shtetëror. Para se të flasim për të dhënë të tjera, të vëmë nën kontroll ato që janë dhënë deri tani. Ky është një shembull negativ dhe me një rrezik të jashtëzakonshëm”, ka nënvizuar Lame.
“Është e pamundur të ndërtohet mbi rrënojat dhe karta shqiptare e vitit 2007 thotë se duhet të kemi kujdes për ruajtjen e këtij parimi të rëndësishëm”, është shprehur ndërkohë eksperti Lorenc Bejko.
Ndërsa sipas arkeologes Iris Pojani, në shumë vende të Europës ky proçes është mbyllur që në vitin 2005 dhe që për më tepër bie ndesh me ligjin e trashëgimisë kulturore.
Ministria e Kulturës kërkon të përfshijë në këtë nismë mbi 40 monumente të trashëgimisë kulturore, ndërkohë që ka treguar se nuk mund të kontrollojë lejet e dhëna deri më tani në disa kala, siç është ajo e Petrelës.
Ekspertët e trashëgimisë kulturore kanë theksuar se shqiptarëve nuk mund t’u serviren vetëm ushqime dhe fastfude në vendet ku duhet të emetohet kulturë dhe histori.
Ndërsa anëtarja socialiste e komisionit parlamentar për kulturën, Valentina Leskaj deklaroi se opozita do të thërrasë për sqarim ministrin e Kulturës.
“Sa janë kapacitetet e shtetit për ta ruajtur këtë sektor? Kjo është një çështje delikate pasi eksperienca e kaluar nuk ka qenë pozitive. Ne do thërrasim këtu edhe ministrin e Kulturës”, deklaroi Leskaj.
Top Channel