Kupa e Ligës angleze, Liverpul fiton me 11-metërsha

27/02/2012 00:00

Liverpuli fitoi Kupën e Ligës angleze (Carling Cup) me 11-metërsha ndaj Kardifit që militon në Championship (kategoria e dytë angleze) pas një ndeshjeje ku lojtarët uellsianë dhanë shpirtin për 120 minuta në Uembli.

Në fund trofeun e ngritën favoritët e Liverpulit, të cilët e panë veten në disavantazh që në fillim të takimit dhe pasi përmbysën rezultatin pësuan golin e barazimit 2-2 në fund të shtesës së dytë, pikërisht atëherë kur dukej se gjithçka kishte mbaruar, duke përfshirë këtu edhe fuqitë e lojtarëve uellsianë.

Golin e Kardifit që u shënua nga Mason e përmbysën realizimet e Martin Skrtel dhe Dirk Kuyt, ndërsa në minutën e 118 barazoi Turner, i cili zgjati ëndrrën e bukur të ekipit që luan në kategorinë inferiore.

Seria e 11-metërshave i buzëqeshi të kuqve nga Liverpuli. Anthony Gerrard, kushëriri i parë i Steven Gerrard, gaboi penalltinë decisive duke i dhuruar Liverpulit një Kupë Lige tjetër, e teta në historinë e këtij ekipi.

Top Channel