Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së, të hënën, e më pas ai i çështjeve të përgjithshme, të martën, diskutojnë për Kosovën dhe Serbinë, nën dritën e marrëveshjeve të fundit të dialogut të Brukselit.
Paralelisht, Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian shqyrton, të mërkurën dhe të enjten, projekt-rezolutat për Serbinë, Malin e Zi, Bosnjen dhe Turqinë.
Kjo javë është e mbushur edhe me vizita nga ministra të ndryshëm nga rajoni. Të martën, Stefan Fule pritet të takohet me Ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe atë të Integrimit, Vlora Çitaku. Kosovës i është premtuar nisja e studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim – Asocimit.
Ditën e enjte, komisioneri për zgjerim pritet të takohet me Zvs/Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto. Kjo vizitë përkon me periudhën e vlerësimit të fund-muajit shkurt mbi ecurinë e përmbushjes së deritanishme të 12 kritereve të vëna nga Komisioni Europian.
Java mbyllet me samitin europian, ku pritet edhe marrja e vendimit përfundimtar për statusin kandidat për Serbinë.
Përgatiti: Arta TOZAJ, Bruksel
Top Channel