Cmimet Oscar, triumfon ‘The Artist’

27/02/2012 08:15

Mbrëmja e çmimeve Oscar në “Kodak Theatre” të Hollivudit ishte kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar. ‘The Artist’ përmbushi e tejkaloi parashikimet me rrëmbimin e pesë çmimeve më të rëndësishme të mbrëmjes. 

Triumfuesi i vërtetë i edicionit të 84-t të Academy Awards mori statuetën e artë për filmin më të mirë, regjizorin dhe aktorin më të mirë, kostumet dhe kolonën zanore duke u shndërruar veç të tjerash edhe në të parin film pa zë të nderuar me Oscar që prej vitit 1929.

“Nëse George Valentin do të mund të fliste atëherë do të thoshte: fitore, gjeniale, faleminderit!”, tha aktori Jean Dujardin duke iu referuar personazhit që interpreton.

Regjizori Michel Hazanavicius që për herë të parë kishte siguruar një nominim të tijin për Oscar, falenderoi qenin Uggie që shfaqet gjithashtu në filmin bardhë e zi, por shtoi me shaka: “Nuk mendoj se atij i intereson shumë.”

5 çmime mori edhe krijimi tridimensional ‘Hugo’ i Martin Scorseses, kryesisht në kategoritë teknike, çka do të thotë se vlerësimi nuk mungoi, por nuk ishte i të njëjtit nivel me filmin francez.

Mes statuetave të rreshtuar nga Scorsese ishte dhe ajo e montazhit më të mirë dhe efekteve speciale.

Nuk doli nga pritshmëritë as Meryl Streep, e shpallur aktorja më e mirë për interpretimin e jashtëzakonshëm të Margareth Thatcer tek “Zonja e Hekurt”. Ishte nominimi i saj i 17-të për Oscar dhe i treti titull i fituar e i merituar plotësisht.

“Falenderoj Akademinë për këtë karrierë pashpjegueshmërisht të mrekullueshme”, u shpreh aktorja në momentin e marrjes së çmimit.

“Mbase kur u thirr emri im, gjysma e Amerikës mendoi: “oh, jo prapë atë” por s’ ka problem”, shtoi ajo duke qeshur.
 
Kristofer Plamer hyri të dielën në historinë e Oskarëve si aktori më i moshuar që nderohet ndonjëherë me këtë çmim. 82-vjeçari Plamer fitoi për rolin dytësor në filmin ‘Beginners’, si një i ve i moshuar që kthehet në homoseksual.

Me ovacione u prit Oktavia Spensër, fituesja e çmimit Oskar për rolin dytësor në filmin ‘The Help’, një prej dy artistëve të emëruara në këtë kategori.

Risi ishte dhe fituesi i kategorisë film i huaj: “A Separation” i regjizorit Asghar Farhadi që çon për herë të parë në Iran statuetën e artë të Oskarit.

Ceremonia e 84-t e çmimeve më të mëdha të kinematografisë u drejtua nga aktori Billy Cristal, i cili vihej në këtë rol për herën e nëntë.

Lista e plotë e fituesve së çmimeve Oscar:

Filmi më i mirë: The Artist

Aktori më i mirë:
Jean Dujardin (The Artist)

Aktorja më e mirë: Meryl Streep (The Iron Lady)

Aktorja më e mirë joprotagoniste:
Octavia Spencer (The Help)

Aktori më i mirë joprotagonist: Christopher Plummer (Begginers)

Regjisori më i mirë: Michel Hazanavicius (The Artist)

Kostumografia: The Artist

Filmi më i mirë i huaj:
A Separation (Iran)

Filmi më i mirë i animuar:
Rango

Efektet vizuale: Hugo

FOTO GALERI
1/6
Jean Dujardin, aktori më i mirë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA