Dhënia e titullit Qytetar Ndëri Hekuran Dedës njëri prej katër viktimave të 21 Janarit 2011 ka shkaktuar një përplasje mes prefektit të qarkut Dibër dhe kryatrit të komunës Kala e Dodës.
E përditëshmja Panorama ka publikuar sot lajmin e heqjes të titullit qytetar nderi Hekuran Dedës i cili u vra gjatë demonstratës së opozitës një vit më parë.
Këtë titull të ndjerit Hekuran Deda iu akordua në veprimtarinë përkujtimore organizuar nga PS pas një vendimi marrë nga këshilli komunës ku edhe kishte lindur Hekurani.
Por sic raporton Panorama ishte prefekti Genc Sharku ai i cili ka kundërshtuar vendimin e këshillit të komunës Kala e Dodës.
“Kemi mësuar se prefekti Sharku nuk e ka konfirmuar këtë vendim të këshillit të komunës. Siç edhe ligji thotë mjaft qartë se vendimet me karakter individual nuk kanë nevojë të konfirmohen nga prefekti”, është shprehur kryatri komunës së Kalasë së Dodës, Bajram Himallarri.
Duket se kjo çështje do të përfundojë në gjykatë pasi zoti Himallari ka deklaruar se “nëse prefekti nuk e konfirmon vendimin për herë të dytë ata do ti drejtohen gjykatës”.
Vetë prefekti Sharku ka pohuar se vendimi i tij nuk ka prapavijë politike por ka ngritur pretendimin se janë shkelur procedurat ligjore dhe se për këtë cështje këshilli komunal duhet të zhvillojë një mbledhje tjetër brënda kushteve ligjore.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe kreu opozitës Edi Rama nëpërmjet dy mesazheve në rrjetin social Tëitter ku thotë se: “Perpjekja e prefektit të Dibrës për t’i hequr titullin Qytetar Nderi dëshmorit të 21 janarit Hekuran Deda, vazhdë e barbarisë qeveritare”.
Ndërsa në komentin e dytë rikujton episodin e dërgimit të një personi për të negocuar me familjen Deda një vizitë të kryeministrit dy ditë pa mortit. “Ndaj familjes Deda Kryeministri ka detyrimin te shpjegohet para drejtësisë edhe për sekserin që çoi në mesnatë për të blerë me lekë një vizitë tek ata”, shkruan Rama.
Top Channel