Spahiu: AK, “partia” e parë në vend

23/02/2012 00:00

20 vjet më parë, një sistem i korruptuar dhe i vjetëruar politik u shemb në Itali nga një lëvizje e quajtur “Manni puliti”, e udhëhequr nga disa prokurorë dhe gjyqtarët italianë.

Zgjedhjet e dy viteve më pas shkrinë të gjithë forcat e vjetra dhe sot janë pjesë e opozitës më aktive, asaj të “Italisë së Vlerave” të Di Pietros, i cili po shihet gjithmonë e më shumë si një kryeministër i ardhshëm.

20 vjet më pas, mund të nxjerrim disa paralele me realitetin shqiptar, si ndienja e rritjes së pakënaqësisë ndaj politikës dhe kjo shpjegon faktin se përse një vit më parë, në rastin e censusit, një lëvizje popullore, nacionaliste, e vetëquajtur aleanca kuq e zi bëri shumë bujë dhe jehonë në media e opinione publike.

Për të folur rreth shndërrimit të kësaj lëvizje në një parti politike, çfarë i kushtoi liderit të Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiut, vendin e numrit dy në gjyqësorin shqiptar, vetë Zoti Spahiu u përgjigj në “Top Story” pyetjeve të Sokol Ballës dhe panelit të tij të analistëve, të përbërë nga Andi Tela, drejtor i Panoramës, Aleksandër Çipa, kryeredaktor i gazetës “Shqip”, Henri Çili, drejtor i MAPO-s dhe Eduard Zaloshnja.

Shndërrimi i AK-së në parti politike
Në nisje të emisionit, ishte e natyrshme që lideri i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, të përgjigjej për shndërrimin e lëvizjes në një parti politike dhe vendin ku kjo u komunikua, nga Uashingtoni. “U zgjodh koha dhe vendi i duhur për ta bërë këtë”, u shpreh Spahiu. “Kisha deklaruar kohë më parë se nëse do të vendosja që AK të bëhej parti, do të braktisja pozicionin shtetëror që kisha dhe ishin një sërë ngjarjesh zinxhir që ndodhën. Një javë më parë dhashë dorëheqjen dhe natyrisht, vizita përkonte edhe me pavarësinë e Kosovës, 17 shkurtin. Nga ajo ditë, kemi nisur një sërë takimesh konsultative, për të prezantuar programin tonë, që do të prezantohet në maj dhe do të mbledhë delegatë nga çdo qytet shqiptar, brenda e jashtë kufinjve. AK kërkon të pastrojë këtë skenë të politikës nga një ujë i ndotur dhe nga partitë që janë shndërruar në parti private, që drejtohen nga të njëjtët njerëz prej kohësh”.

Spahiu: “Sistemi i drejtësisë është i kapur”
I përballur me kritikat e Henri Çilit, por rolin e tij në degradimin e sistemit të drejtësisë në tre vitet e fundit, ish nënkryetari i KLD-së u përgjigj: “Sistemi i drejtësisë, nuk po pastron dot politikën nga figurat e inkrimunuara, për faktin se vjen nga një sistem që ishte parti shtet, ku diktatura kontrollonte gjithçka. Demokratët sot e dje socialistët kontrollojnë të gjithë drejtësinë, që është e kapur, e kontrolluar nga politika. Jo rastësisht, në 20 vjet nuk është dënuar asnjë politikan. E dyta, për tre vjet, sistemi i drejtësisë ka qenë viktimë e bojkotit të parlamentit, asnjë ligj, asnjë kod nuk është miratuar dhe të gjitha buxhetet e institucioneve janë reduktuar dhe vijmë tek thënia e Falkones: “Më shkuartuan buxhetin, makinat, nuk më favorizojnë me legjislacion, më ulën sigurinë, pra më thoni kush është më e rrezikshme në këtë shtet, shteti apo mafia?”. Në vijim të emisionit, Spahiu foli edhe për vizionin e tij për të ardhmen e drejtësisë. “Duhet një reformë me rrënjë dhe kjo është një prej dhjetë pikave të kontratës sonë, kontratë që nuk ka asnjë pikë të përbashkët me programet e Partive Demokratike dhe Socialiste. Disa nga idetë për përmirësimin e situatës është përfshirja e jurive apo përzgjedhja e gjykatësve nga vetë populli. Gjyqtarët shkarkohen nga KLD me propozim të qeverisë. Cdo propozim i saj për  të shkarkuar gjyqtarët është pranuar. Por disa herë këto propozime kanë qenë selektive”.

Momenti i dorëheqjes

Momenti i dorëheqjes dhe drejtimi i KLD-së me synimin për të krijuar një parti në të ardhmen u sulmua si moralisht e ulët nga Çili. “Përse nuk e dhashë dy muaj më parë?.  Po t’i bëja të gjitha akuzat dhe çështjet që kam mbrojtur pas dorëheqjes, s’do më besonte njeri… Pjesa e krenarisë sime më detyroi të ngrija zërin që kur isha në detyrë. Pse dhënia e dorëheqjes, që mund ta jepja 6-7 muaj më parë, u dha tani? Kjo është një pikë për të cilën mirëpres shumë mendime dhe vlerësime, por e vërteta është kjo që thashë. Si nënkryetar i KLD-së, jam krenar që kam denoncuar të gjitha planet apo vendimarrjet që kanë qënë në dëm të integritetit, sovranitetit dhe identitetit kombëtar. Provën dhe vulën e madhe e vuri Gjykata Kushtetuese, që ndau faqezinjtë nga kuqezinjtë. Ç’kuptim do të kishte të denoncoja ligjin që cënonte identitetin kombëtar, që shndërronte me mijëra shqiptarë në grekë, pasi të jepja dorëheqjen dhe jo atëherë kur kisha fuqi për ta ndryshuar dhe denoncuar këtë situatë?”.

Akuza për kombësinë e Spahiut

Në një intervistë për gazetën “Shqip”, deputeti Enkelejd Alibeaj, njëkohësisht kreu i komisionit hetimor për veprimtarinë e KLD-së dhe Spahiut, hidhte dyshime për vetë prejardhjen e kreut të AK-së. Në “Top-Story”, Spahiu u përgjigj me agresivitet ndaj këtyre akuzave. “Sipas kryeministrit Berisha dhe zëdhënësit të tij “Ali-Beu”, pasi gërmuan e gërmuan e nuk gjetën gjë, dilka që unë qënkam i huaj e i dërguar nga ndonjë fuqi këtu. Janë ata kanë bërë diçka unikale, duke i vënë emrin e komisionit tim si komisioni për shkarkim dhe jo për hetim. Në fillim hetuan se çfarë udhëtimesh kam bërë unë, pastaj se çfarë udhëtimesh kam bërë në katër vjet e gjithçka tjetër. Deklaruan se Kreshnik Spahiu në rrënjët e tij 3-mijë vjeçare nuk është shqiptar. Këtë akuzë e bëjnë ata që e shesin Shqipërinë si plaçkë tregu. Fatkeqësisht, ndodh shpesh në Shqipëri që kur humbet argumenti politik, kalohet në akuza personale. Unë kam një prejardhje thellësisht etnike shqiptare, babai nga Prizreni dhe ka ardhur në Tiranë për shkak të diskriminimit. Ndërsa nëna vjen nga familjet Ismailati e Bejleri të Libohovës, që u janë mohuar shumë të drejta në Greqi për punë pronash, etj….”.

“Largimi im, mesazh për gjyqtarët e tjerë”
Duke argumentuar për momentin politik kur u zgjodh kërkimi i shkarkimit të Spahiut, ai argumentoi: “Kryeministri Berisha kërkoi ngritjen e komisionit “shkarkimor” në 16 janar, në të njëjtën ditë e minutë, kur duhet të jepej vendimi për Ilir Metën, në të njëjtën ditë kur vinte ekspertiza e FBI-së që lidhet me 21 janarin. Edhe nëse analisti më pro qeverisë thotë që këto janë rastësi, unë tërhiqem. Nëse ka një njeri miop që mendon se shkarkimi i Spahiut s’ka ardhur sepse ishte ferrë nëpër këmbë, që shkarkimi i tij ishte një mesazh për çdo gjyqtar, atëherë ai është me të vërtetë miop”.

Rreziku që mbart nacionalizmi
“Jam kundër nacionalizmit, është një rrezik për demokracinë. Unë jam për shoqëri patriotike. AK ka denoncuar të gjitha lëshimet dhe pazaret në kurriz të interesave kombëtare, marrëveshje duke cënuar integritetin e vendit, një ligj për ndryshiminn  e kombësisë, marrëveshje që lidhej me varret e të parëve tanë, problemet që lidhen me cështjet e gjuhës shqipe, unifikimin e abetares duke lejuar skandalet si ai i Preshevës. Këto probleme nuk lidhen me urrejtjen ndaj fqinjëve. Pashaporta e shqiptarëve është krenaria jonë, shtetësia është pjesa e krenarisë. Për këtë cështje ka një qendrim kushtetues. Askush nuk ka monopolin që të hedhë këto ide. Ne nuk do lejojmë që të bëhet pazar me pashaportën shqiptare. Keqqeverisja është armiku kryesor i bashkimit të shqiptarëve. Nuk mund të afrohen shqiptarët me dy qeveritë më të korruptuara në Europë”.

Figurat kryesore të AK
Udhëheqësi i AK-së, Kreshnik Spahiu zbardhi disa nga emrat të cilët, sic tha ai, aktualisht janë anëtarë të AK-së: “Anëtarë të AK janë Myslim Pasha që zbardhi skandalin e pazarit të kufirit detar me Greqinë, Gjergj Bojaxhi, Pëllumb Xhufi janë figurat e ardhshme të AK, por ka dhe shumë figura të tjera. Standardi më interesant që ofron kontrata kuqezi, nuk lejon asnjë ministër apo ish-ministër të jetë anëtar i AK”.

Partia “Aleanca KuqeZi”
“Lëvizja politike do të jetë e qendrës. Lëvizje që nuk është fraksion as i PD as i PS. Në gjirin tonë do ketë vend për të gjithë ata që nuk kanë njollë në biografinë e tyre, të gjithë ata që nuk janë të përlyer në sistemin aktual”.

Sfida për Berishën dhe Ramën
Kreu i AK sfidoi kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës Edi Rama përballë shqiptarëve në bazë të katër kushteve: “Ndryshim të Kodit Zgjedhor duke kaluar në një sistem proporcional të korrektuar. Sot ne qeverisemi nga një minorancë. PD nuk ka më shumë se 20 përqind të votave. Reformë zgjedhore, të njohin votën e emigrantëve, numërim elektronik, që të mos i numërojnë votat të fortët e PD dhe PS. Dhe kërkesa e katërt është; zoti kryeministër zhblloko mediat që kanë 1 vit që bllokojnë Aleancën Kuq e Zi. Aksioni i ri do të jetë referendum për reformën zgjedhore, ndryshe 1 milion aktivistë do bëjnë thirrje për bojkot popullor dhe bllokim të qendrave të votimit në zgjedhjet e 2013”.

Në fund të fjalës së tij udhëheqësi i AK kërkoi nga të gjithë ata që stisën intrigën që Presidenti Topi është pas lëvizjes AK të dalin e të kërkojnë falje publikisht. Zoti Spahiu shprehu bindjen se partia e re që do të krijohet nga lëvizja AK, do të arrijë të dalë fitimtare në zgjedhjet e ardshme, duke lënë PD dhe PS në opozitë. “Misioni i AK-së është heqja e sulltanëve nga politika”, përfundoi Spahiu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA