Shkodër, zjarr në banesë, vdes invalidi

23/02/2012 09:05

Një zjarr ka përfshirë një banesë në katin e parë të një pallati në qytetin e Shkodrës, duke e djegur atë tërësisht dhe duke i marrë jetën banorit të saj.

Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale, sipas të cilave ngjarja ka ndodhur në lagjen Xhabie, ndërsa viktima është identifikuar me emrin Zija Tahiri.

Burimet nënvizojnë se nga hetimet paraprake të kryera në vendin e ngjarjes pas shuarjes së falkëve dyshohet që zjarri të jetë shkaktuar nga një furnelë.

Përsa i përket viktimës, burimet shtojnë më tej se shtetasi Zija Tahiri ishte invalid dhe në momentin e rënies së zjarrit ka qenë i vetëm në banesë.

Tiranë, zjarr në një magazinë bojrash

Në rrethana të ndryshme, një magazinë bojërash e vendosur në autostradën Tiranë-Durrës, në afërsi të Kasharit, u përfshi të mërkurën nga flakët.

Zjarri shpërtheu në orët e pasdites dhe i ndihmuar nga lëndët shpërthyese që ndodheshin në magazinë, u përhap me shpejtësi të madhe.

Në vendngjarje mbërritën katër makina të zjarrfikësve të Tiranës që u përpoqën të vinin flakët nën kontroll. Por për të shuar flakët u kërkua edhe ndihma e zjarrfikësve të Durrësit.

Dy makina mbërritën nga ky qytetet për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit. Dyshohet që zjarri të ketë rënë nga një saldim që pronarët e magazinës po zhvillonin brenda saj. Dëmet materiale të shkaktuara shkojnë në disa milionë lekë.

Zjarr në një banesë në Kamëz

Ndërsa pesë ditë më parë, një familje në afërsi të vendit të quajtur Kodër Kamëz rrezikoi jetën gjatë një zjarri të rënë në mesnatë në banesën e tyre, një vile trekatëshe.

Nga zjarri fatmirësisht nuk pati njerëz të lënduar, përveç dëmeve materiale. Burimet policore thanë se rënia e zjarrit u raportua me telefon në sallën operative të komisariatit të Kamzës dhe menjëherë pas këtij njoftimi forcat zjarrfikëse dhe policore mbërritën në zonë.

Policia tha se ishte dëmtuar i gjithë kati i parë i ndërtesës dhe se ishin shkrumbuar tërësisht tre automjete, mes të cilave një mjet furgon dhe dy mjete tip “Wolkswagen”.

Burimet shtuan se pas këqyrjes se parë dhe ekspertizës në vendngjarje rezultoi se shkak i zjarrit ishte bërë një shkëndijë elektrike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA