Reklama “shqiptare” për Ballkanin

23/02/2012 12:25

Me një videoklip të realizuar nga Drejtoria e Zgjerimit, Komisioni Europian synon të luftojë paragjykimet ndaj Ballkanit dhe Turqisë në vendet më skeptike të BE-së.

Në 60 sekonda shfaqen pamje nga vende të ndryshme, të përzgjedhura për të treguar ngjashmëritë historike, kulturore dhe shoqërore.

I ngacmuar nga korrespondentët e Ballkanit në Bruksel, Peter Stano, zëdhënësi i komisionerit Shtefan Fyle, shpjegoi se ky material reklamues nuk është konceptuar për të përcjellë ndonjë mesazh politik, por synon të promovojë përtej dallimeve, ngjashmëritë mes këtyre vendeve aspirante me ato europiane.

Përveçse në rrjetet sociale në internet, klipi do të shfaqet edhe në reklamat e kinemave të Austrisë, Britanisë, Francës, Belgjikës, Hollandës, Gjermanisë, Danimarkës dhe Finlandës.

I pyetur pse mungon vendi tjetër kandidat, Islanda, Stano, i gjendur ngushtë,  tha se Islanda është më europiane, pasi ka marrëdhënie më të gjata e më të shumta bashkëpunimi me BE-në, gjë që në fakt vlen edhe për Turqinë.

Videoklipi mbyllet me Shqipërinë. Bëhet fjalë për një video-reklamë mbi vendet e Ballkanit që ka realizuar Komisioni për t’u transmetuar në vendet e BE-së, nën moton: “Kaq të ngjashëm, kaq të ndryshëm, kaq europianë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA