Të mërkurën Edi Rama akuzoi mazhorancën për bllokim e reformës zgjedhore. Një ditë më pas, debati u zhvillua i gjallë në Parlament.
“Më duhet të theksoj se deklaratën e djeshme të Edi Ramës ne e lexojmë si një prelude të një stine të re bllokuesi dhe si një rikthim në politikën e vjetër të bojkotit dhe të marrëdhënies së kushtëzuar me parlamentin”, deklaroi kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi.
Kryetari i grupit socialist Gramoz Ruci replikoi duke thënë se reforma ka ngecur në 5 pika, që nuk janë kërkesa të opozitës:
“Listat e zgjedhësve, kartat e identitetit, numërimi, KQZ, cështjen e Kolegjit Zgjedhor i kërkon raporti i ODIHR, jo PS”, tha Gramoz Ruçi.
Kryeministri Berisha, përvec reformës zgjedhore, preku edhe mosmarrëveshjet e grupit që po punon për reformën parlamentare. Sipas kryemnistrit, socialistët po shkelin marrëveshjen politike të nëntorit, duke kërkuar ndryshim të Kushtetutës:
“Kërkojnë që kryeministri të ketë kohë të barabartë me kryetarin e minorancës, e dyta kërkojnë dekretet t’i votojmë fshehtas”, deklaroi kryeministri Berisha.
Sipas kryeministrit Berisha, dekretet e Presidentit të Republikës për anëtarët dhe drejtuesit e institucioneve kushtetuese, nuk kanë të bëjnë me personin, por me ligjin. Si të tillë, ata duhen votohen në mënyrë të hapur, nominalisht.
Kryetari i grupit socialist Ruci, që kërkoi të marrë fjalën, ndeshi në refuzimin e kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. Zonja Topalli iu referua rregullores aktuale të Kuvendit, sipas së cilës kryeministri dhe ministrat e marrin fjalën sa herë të duan. Formalisht, zonja Topalli ia dha fjalën zotit Ruci në pikën tjetër të rendit të ditës:
“Kërkoni thuaj për të ndryshuar Kushtetuta për t’i mohuar fjalën kryeministrit?! Absolutisht jo! Nuk është kërkesë kjo e opozitës, por kërkesë e opozitës është ajo që kryeministri të mos jetë një zë i vetëm në parlament, që kryeministri për atë që thotë të ketë dhe një përgjigje, të cilën ju e keni ndaluar sic e ndaluat sot moj Zonjë”, u shpreh zoti Ruçi.
Zoti Ruci tha se opozita kërkon votimin e fshehtë, sepse kështu janë votuar dekretet e Presidentit në 20 vitet e fundit. Kryeministri i mëshoi kërkesave të socialistëve në grupin e reformes parlamentare, të cilat kërkoi që t’u shpërndahen të gjithë deputetëve, për të parë se sa ato përputhen me marëveshjen politike të nëntorit. Kryeministri tha se mazhoranca nuk pranon që t’i vihen kushte apo imponime:
“Reformat doni t’i bëjmë, hajde t’i bëjmë! Doni të impononi?! Zero imponim. Doni të bllokoni? Bllokoni sat ë doni”, replikoi kryeministri Berisha.
Pas këtyre debateve Kuvendi miratoi dy ndryshime në marrëveshjet e lëvizjes së lirë me Malin e Zi dhe Maqedoninë, që u mundësojnë shqiptarëve të udhëtojnë me letërnjoftimet elektronike.
“Berisha po dështon reformën”
Edi Rama nëpërmjet një deklarate ka akuzuar kryeminsitrin Sali Berisha si përgjësin kryesor për pengesat e shfaqura në mos realizimin e reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare.
“Pa qenë aspak i befasuar nga vulgariteti anti-opozitë që karakterizon tradicionalisht retorikën e kryeministrit, shkruan Rama, nënvizoj shqetësimin shumë serioz të Partisë Socialiste për zvarritjen e reformës zgjedhore përtej afatit të përcaktuar në aktin e formimit të komisionit përkatës”.
Sipas Ramës, Sali Berisha përsërit se opozita ka pranuar ato që i janë ofruar dy vjet më parë, por e verteta është se pala e keqdrejtuar prej tij nuk ka pranuar ende asnjë nga pikat e domosdoshme kyçe për një reformë të plotë e të drejtë zgjedhore.
“Dy vjet rresht kryeministri ka përsëritur me dhjetra herë për opinionin publik vendas dhe atë ndërkombëtar se është gati të pranojë çdo propozim të opozitës për refomën zgjedhore. Sot, kur për pak ditë skadon afati i kryerjes së kësaj reforme, Sali Berisha nuk ka pranuar ende asnjë nga rekomandimet kyçe të ODIHR-it e jo më propozimin e opozitës për përmirësimin e vetë sistemit zgjedhor”, thotë Rama.
Deklarata e zotit Rama vijon me këto fjalë: “ Se kush është kryeministri i sotëm i Shqipërisë e se sa për zemër e ka ai funksionimin e demokracisë dhe zgjedhjet e lira e kanë marrë vesh të gjithë, edhe shqiptarët edhe komuniteti ndërkombëtar. Ne e kemi ditur me kohë. Por ajo që kërkojmë sot është respektimi pikë për pikë i vendimit të parlamentit për reformën zgjedhore dhe futja në kod pikë për pikë e çdo rekomandimi të OSBE/ODIHR-it, ashtu sikundër hapja e një debati transparent në Komisionin e Reformës Zgjedhore edhe për përmirësimin e sistemit zgjedhor.
Rama përmes kësaj deklarate jep edhe shkaqet që shtyn kryeninistrin në mos-dakortësinë e tij për këto reforma kur thotë: ”Që Sali Berisha kërkon ta zvarrisë reformën zgjedhore për të bërë të pamundur implementimin e masave të reja anti-manipulim për shkak të mungesës së kohës nëse miratimi i këtyre masave shtyhet pafundësisht, këtë e kemi ditur përpara se të ndodhte. Prandaj edhe kemi kërkuar dhe marrë fjalën e komunitetit ndërkombëtar për monitorimin nga afër të kësaj reforme kyçe për funksionimin demokratik të vendit e sigurisht edhe integrimin europian të tij. Ne s’kemi bërë asnjë marrëveshje me Sali Berishën e me qeverinë e tij kur jemi ulur në tryezën e reformës zgjedhore apo në tryezën e Komisionit të Ligjeve për ligjet me 3/5-at që po i shkruajmë thuajse nga e para për të futur në to frymën e normat europiane të funksionimit të shtetit.
Përballë kësaj situate të krijuar në fund të deklaratës Rama shpjegon pse është e nevojshme ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar për të mos lejuar që reforma zgjedhore, për fatin e së cilës ata janë angazhuar solemnisht përpara shqiptarëve pas dy dështimesh me radhë të dy palë zgjedhjeve, duke e përcaktuar së fundmi këtë reformë si prioritetin e prioriteteve për integrimin europian të Shqipërisë, të dështojë në funksion të axhendës së njohur të kryeministrit.
Gjatë një takimi me të rinjtë e FRESH-it në Durrës Rama ka shpërndarë teserat e anëtarësimit në PS duke mos harruar edhe të shkëmbejë batuta me të rinjtë e në vecanti me njërin prej tyre që quhej Sali.
Top Channel