Prishtinë, nderohet Dritan Hoxha

23/02/2012 00:00

Një rrugë në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë do të mbajë emrin e themeluesit të Top Medias, Dritan Hoxha, për kontributin e dhënë në fushën e medias mbarëshqiptare.

Kjo është vendosur gjatë së enjtës nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, kur me shumicë votash është përkrahur një listë me 175 emra të emërtimeve të rrugëve të reja.   
 
E në këtë listë të emërtimeve gjenden personalitete që kanë dhënë kontributin e tyre në çështjen kombëtare, toponime gjeografike nga mbarë hapësira shqiptare, por edhe personalitete të huaja që janë shquar qoftë në çështjen shqiptare, apo edhe në letërsinë botërore.
 
“Enver Zymberi” është emërtuar një rrugë tjetër në nderim të policit të Kosovës, të vrarë më 26 korrik në veriun e Kosovës, pastaj edhe personalitete tjera të shquara që nga koha e Skënderbeut.
 
Emërtime janë bërë edhe me emra të huajsh, por që janë dëgjuar shumë në Kosovë, si “Richard Holbrooke”, “Xhemi Shija”, “Tom Lantosh”, “Papa Gjon Pali II”, e deri te shkrimtari “?illiam Shakespeare”.

“Kriter bazë për emërtimin e rrugëve të merret kontributi i gjithanshëm i personaliteteve nga e kaluara historike, kultura, arsimi, shkenca, veprimtaria humanitare si dhe veprimtaria politike kombëtare. Personalitetet sipas të cilave rrugët kanë marrë emërtimet janë të karakterit komunal, rajonal, kombëtar, ndërkombëtar, nga të gjitha fushat e lartëpërmendura”, Vjollca Dibra Ibrahimi, Anëtare e Komisionit për emërtimin e rrugëve.

Komisioni për emërtimin e rrugëve ka vendosur që pjesa e dytë e Rrugës Garibaldi në qendër të Prishtinës të emërtohet “Dritan Hoxha” si një vlerësim  për njeriun,  vizioni i të cilit bashkoi shqiptarët para një ekrani.

Vetë kreu i Prishtinës, Isa Mustafa, në një intervistë për Top Channel pati deklaruar arsyet se pse një rrugë në kryeqytetin e Kosovës të mbajë emrin “Dritan Hoxha”.

“Ai  e meriton të jetë prezent këtu në Prishtinë për meritën që integroi shqiptarët në një media që s’e kishin parë sesi funksionon jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë, në një cilësi kualitative në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e vise të tjera. Jemi mirënjohës për atë që ka bërë dhe këtë do ta shprehim përmes vënies së emrit të Dritanit një rruge në qytet. Kemi pas disa orientime. Do të përcaktohemi që ajo të jetë diku në qendër të qytetit në mënyrë që të jetë edhe afër mediave, sepse ai ka qenë vërtet një njeri i cili tërë jetën e tij ia ka kushtuar zhvillimit të mediave, prandaj mendojmë se edhe rruga e cila do të bartë emrin e Dritan Hoxhës të jetë në qendër afër mediave, në mënyrë që të korrespondojë me veprën e tij”,   tha Isa Mustafa, Kryetar i Komunës së Prishtinës në një intervistë dhënë për Top Channel në muajin maj të 2011-s.

Top Channel nuk ka qenë vetëm një ekran që i ka tërhequr shqiptarët e Kosovës me risitë që solli në tregun mediatik. Duke qenë një televizion i pranishëm në cdo moment dhe ngjarje të madhe,  në  dekadën më të  rëndësishme për historinë e Kosovës dhe të kombit shqiptar, Top Channel kontribuoi në bashkimin kulturor dhe jo vetëm të shqiptarëve në të dy anët e kufirit.

Top Channel