Nëntetar Peci dërgohet në Gjermani

23/02/2012 13:45

Komandoja shqiptar Aleksandër Peci, që mbeti i plagosur ditën e hënë në një fshat të provincës së Kandaharit në Afganistan, është dërguar për mjekim të specializuar në një spital gjerman.

Sipas informacioneve të fundit, Peci është dërguar për në spitalin ushtarak në Landstuhl të Gjermanisë, i shoqëruar nga një ekip mjekësh.

Ditën e mërkurë, Ministria e Mbrojtjes informoi për gjendjen shëndetësore të Pecit, duke deklaruar se kushtet e tij ishin përmirësuar dukshëm.

Përmes një komunikate, ministria sqaroi se nëntetar Peci ditën e djeshme ishte transferuar në një spital në bazën ajrore të Bagramit, i specializuar për ndërhyrje të vështira kirurgjike.

Ushtaraku shqiptar iu nënshtrua për disa orë një operacioni që përfundoi me sukses dhe sipas njoftimit, ai ndodhej tërësisht jashtë rrezikut për jetën.

Ministria e Mbrojtjes bëri gjithashtu të ditur se pret ende trupin e ushtarakut të vrarë, kapiten Feti Voglit, i cili ende nuk dihet me saktësi se kur do të mbërrijë në atdhe, ku i është rezervuar një ceremoni mortore në varrezat e dëshmorëve.

Gjithashtu, komandantit të grupit të parë special me shërbim në Afganistan i është dhënë titulli “Dëshmor i Atdheut”, si dhe i është akorduar nga presidenti i Republikës Medalja e Artë e Shqiponjës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA