Gjirokastër, materniteti i shkatërruar

23/02/2012 12:25

Materniteti i Gjirokastrës, aty ku çdo vit lindin 500 femijë, është në kushte skandaloze. Ai është ndërtuar në vitet ‘80 dhe prej asaj kohe nuk ka përfituar asnjë rikostruksion.

Muret janë të shkatërruar nga lagështira dhe pajisjet të amortizuara. Këtu mungojnë kushtet minimale për trajtimin e pacientëve.

Në shumë raste xhamat që mungojnë janë zëvendësuar nga vetë stafi mjekësor me plastmas, ndërsa mjediset e paralindjes dhe lindjes po largojnë gjithnjë e më shumë pacientët nga ky spital.

Ata që kanë të ardhura zgjedhin të udhëtojnë drejt Janinës për lindjet, ndërsa materniteti i Gjirokastrës duhet t’i shërbejë vetë qytetit të Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit dhe gjithë komunave që përfshin ky qark.

“Prej ndërtimit të tij e deri më sot nuk ka pasur asnjë investim. Ne jemi në tratativa me Ministrinë e Shëndetësisë dhe shumë shpejt do të fillojë rikonstruksioni, por gjithçka ka vështirësitë e veta”, ka deklaruar Genci Sinoimeri, drejtor i spitalit.

Maternitetit të Gjirokastrës, ku shërben një staf prej 4 mjekësh dhe 11 infermierësh, i drejtohen për konsulta gjinekologjike më shumë se 6.000 gra në vit, ndërsa në këtë godinë vijnë në jetë rreth 500 foshnja në vit, me një gjeografi të origjinës nga Konispoli deri në Fratar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA