Deputeti Erjon Braçe ka thirrur në interpelancë ministrin e Energjitikës, Nasip Naço, për problemin shqetësues sipas tij të energjitikës.
Gjatë fjalës së tij Braçe ka theksuar se sektori energjitik në vend është lënë në mëshirë të fatit, duke u mbështetur vetëm tek furnizimet nga jashtë dhe tek kushtet e motit.
“Energjia është problemi më i madh në vend e rajon, por tek ne është një problem ndryshe. Në 20 vitet e fundit ne kemi patur probleme me energjinë, prandaj po ngre këtë shqetësim. Shqipëria është një vend që vetëm furnizohet dhe mbështetet tek kushtet meteorologjike. Blerja e energjisë po ndikon shumë në buxhet, ndërkohë që po dëmtohet konkurrenca dhe po abuzohet me faturimet”, ka deklaruar Braçe.
Ai ka shtuar se KESH ka një borxh prej 140 milionë eurosh në bankat vendase dhe se kryeministri Berisha gënjen kur thotë se Shqipëria është kthyer në një superfuqi energjitike. “Proçesi energjitik është i dështuar. Vetëm 5 vepra janë ndërtuar nga 500”, ka shtuar më tej deputeti socialist gjatë fjalimit të tij.
Ndërsa ministri i Energjitikës, Nasip Naço në përgjigjen e tij ka hedhur poshtë deklaratat e deputetit Braçe, duke thënë se politikat e ndjekura nga qeveria kanë lehtësuar investimet në sektorin e energjitikës.
“Konçesionet janë politika më e mirë për investimet në energji dhe për të caktuar çmimet. Politika konçeisonare është më e mira. Projektet publike realizohen vetëm me sketorin privat, pa asnjë ndikim tek buxheti i shtetit. Qeveria në këtë proces garanton vetëm ndihmën dhe asistencën ligjore”, ka deklaruar Naço, duke shtuar se akuzat e opozitës janë tendencioze.
“Rezultatet e arritura sot janë pozitive, por opozita sulmon këto rezultate sepse në kohën e vetë s’ka pasur asnjë ide e jo më rezultate. Qeveria ka 114 kontrata koncesionare dhe ka realizuar investime që arrijnë në qindra miliona euro”, ka thënë Naço.
Top Channel