Presidenti i Serbisë Boris Tadiç ka deklaruar se zgjidhja e problemeve me Kosovën është shumë larg për shkak të qëndrimeve sipas tij absurde të Prishtinës.
“Situata është më negative sesa dje, për shkak të mënyrës se si qeveria e Prishtinës i propozon zgjidhjet”, ka deklaruar Tadiç.
Duke folur për gazetarët në Beograd, presidenti serb është shprehur se qëndrimi i palës kosovare është jashtë çdo realiteti.
Më tej ai ka shtuar se është e vështirë që Serbia të arrijë të sigurojë statusin e vendit kandidat për në BE, pasi kjo sipas tij nuk është diçka që varet nga Beogradi.
“Kjo nuk varet vetëm nga ne, por nga çdo shtet anëtar i BE-së. Sidoqoftë, vendi ynë nuk do të heqë dorë nga formula “edhe BE-në edhe Kosovën””, ka shtuar Tadiç.
Fyle, optimist për Serbinë
Ndërkohë, komisioneri evropian për Zgjerimin, Shtefan Fyle ka vlerësuar se në bisedimes mes Serbisë dhe Kosovës është arritur një pajtim i rëndësishëm.
Sipas tij, nëse gjërat vijojnë kështu, nuk është e nevojshme që Serbia të përmbushë të gjitha kushtet e parashtruara për të marrë statusin e kandidatit.
“Këshilli i Ministrave në dhjetor të vitit të kaluar vendosi kushte të qarta e të arritshme në mënyrë që Serbia të marrë statusin e kandidatit në fund të shkurtit. Por natyrisht, duhet një përpjekje serioze për të përmbushur këto kërkesa”, ka deklaruar Fyle për revistën “Novi Magazin”.
Fyle ka nënvizuar se Brukseli do të mbikëqyrë me vëmendje respektimin nga Serbia të marrëveshjeve të arritura deri tani me Kosovën, përfshirë atë për menaxhimin e integruar të kufirit.
Top Channel