Situata në Siri, samit në Tunizi

22/02/2012 20:40

Dëshpërimi dhe një rritje e shpejtë e numrit të viktimave po shërbejnë si sfond i përpjekjeve të reja të komunitetit ndërkombëtar për fundin e shtypjes brutale të kryengritjes në Siri.

Në takimin e së premtes në Tunizi, liderët botërorë do të shohin mundësitë e rritjes së presionit mbi Bashar al Ssad. Më shumë se 70 vende janë ftuar të marrin pjesë.

Rusia, që bllokoi me veto rezolutën kundër dhunës në Këshillin e Sigurimit, njoftoi se nuk do të marrë pjesë, ndërsa Kina nuk ka dhënë ende përgjigje.

35 vetë u vranë vetëm gjatë ditës së mërkurë në vend, përfshirë dy gazetarët e huaj: reporteren e “Sunday Times”, Marie Colvin dhe fotoreporterin e talentuar francez Remi Ochlik, të cilët ndërruan jetë nga shkatërrimi i qendrës së improvizuar për mediat në Baba Amer pas goditjes nga një predhë e artilierisë siriane.

Dy gazetarë të tjerë të huaj kanë mbetur të plagosur. Kryeministri britanik David Cameron vleresoi lart kurajon e Colvin, një grua dhe profesioniste e jashtëzakonshme, që e vendoste veten vazhdimisht në rrezik për të dëshmuar mizoritë e frikshme.

“Kjo është një kujtesë e trishtueshme e rrezikut me të cilin përballen gazetarët për të informuar botën mbi ngjarjet e tmerrshme në Siri. Mendimet tona shkojnë për familjen dhe miqtë e korrespondentes së talentuar e të respektuar të “Sunday Times””, u shpreh Cameron.

Colvin and Ochlik ishin që të dy veteranë të mbulimit të luftrave në Lindjen e Mesme, Azi e gjetkë dhe fitues të një sërë çmimeve. Njërin sy Colvin e kishte humbur pikërisht gjatë një raportimi mbi situatën në Sri Lanka në 2001-shin, kur u godit nga copëzat e një predhe.

Ochlik, i lindur në Francë në 1983-shin, për të parën herë mbuloi një konflikt, atë në Haiti, kur ishte vetëm 20 vjeç. Aparati i tij shkrepi foto nga revolucionet në Tunizi, Egjipt e Libi.

Por lufta në Siri është shumë më e rrezikshme për gazetarët, pasi forcat rebele dhe mbështetësit e opozitës fshihen më së shumti në enklava të thella, ku mund të mbërrihet vetëm përmes udhëtimesh tepër të rrezikshme.

Damasku e ndaloi hyrjen e gazetarëve të huaj në vend fill pas nisjes së revoltës marsin e vitit që shkoi, por ka filluar të lëshoje viza afatshkurtra për një numër të kufizuar reporterësh, të cilëve u lejohet lëvizja nën shoqërimin e forcave qeveritare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA