Dialogu Kosovë-Serbi, ndërmjetësuar nga BE, nisi këtë paradite në selinë e Këshillit, 24 orë më vonë nga çfarë parashikonte axhenda e Robert Kuper,  për shkak se delegacioni kosovar u bllokua në Vjenë një ditë më parë, meqënëse fluturimi i tyre drejt Brukselit u anulua.

Ndryshe nga raundet e mëparëshme, kryenegociatorja Edita Tahiri kësaj radhe shmangu deklaratat për publikun, duke përdorur hyrjen e pasme për në ndërtesën e Këshillit.

Ndërsa Borko Stefanoviç shpjegoi për mediat serbe para takimit se “propozimi i Beogradit e komunitetit ndërkombëtar për përfaqësimin e Kosovës me shënimin sipas rezolutës 12-44 dhe mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, përbënte një hap konkret për zgjidhjen e çështjes së emrit të Kosovës në tryezat rajonale”.

Pretendimi i Prishtinës zyrtare se në shpjegimet plotësuese do të përfshihet edhe Deklarata e Pavarësisë, gjë e cila nuk është konfirmuar nga zyrtarët e BE-së që ndërmjetësojnë dialogun, u konsiderua e papranueshme nga kryenegociatori serb.

Megjithëse bashkëpunimi rajonal përbën temën më të nxehtë të këtij ballafaqimi mes dy delegacioneve, në tryezë do të vlerësohet edhe zbatimi i marrëveshjeve paraardhëse, përfshirë ajo për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve kufitare.

“Ky raund pritet të zgjasë të paktën gjatë gjithë ditës së mërkurë”, shpjegoi për Top Channel një diplomat pranë ndërmjetësuesit të BE-së.

Brukseli ka bërë të pamundurën për organizimin e këtij takimi të parë për këtë vit, një javë para Këshillit të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, të cilët presin rezultate të prekshme nga ky dialog për t’i dhënë Serbisë dritën e gjelbër për statusin kandidat.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA