Kosova nuk rrezikohet nga vërshimet pas reshjeve të mëdha të borës. Sipas drejtorit të Institut Meteorologjik të Kosovës, Syle Tahirsyla pas vlerësimeve të bëra është vërtetuar se nga fillimi i shkrirjes së borës as edhe një milimetër nuk është ngritur niveli i ujërave të lumenjve të Kosovës, çka nënkupton se vendi nuk rrezikohet nga vërshimet.

Një raport i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për parandalimin e katastrofave, paralajmëron se Evropa Qendrore dhe Lindore që u paralizuan nga bora dhe vala e të ftohtit këtë dimër mund të përballen me shkrirje masive të borës duke u rrezikuar nga përmbytje të mëdha.

Por, zyrtarët në Kosovë thonë se vendi është jashtë kësaj harte përsa i përket përmbytjeve. Ndërkohë që sipas OKB, më të rrezikuar janë Serbia, Bullgaria dhe Rumania ku pritet që temperaturat të ngrihen me tetë dhe 10 gradë celsius gjatë 10 ditëve të ardhshme duke shkrirë akullin përgjatë Danubit.  

“Ndërkohë që mijëra persona qëndrojnë të bllokuar nga dëbora në Serbi dhe Bullgari ka shenja paralajmëruese për përmbytje shkatërruese duke shkaktuar viktima dhe humbje ekonomike”, theksoi Margareta Ëahlström, zyrtare e veçantë e OKB-së për Agjencinë Ndërkombëtare për Parandalimin e Katastrofave, që citohet në një komunikatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA