Një kontroll i imtësishëm i KLSH-së, i kryer për 5 muaj rresht, në periudhën maj-shtator 2011, ka zbuluar mekanizimin e mashtrimit dhe abuzimit me ligjin nga ana e punonjësve dhe zyrtarëve të lartë të Agjencisë së Legalizimeve, si në drejtorinë qendrore, ashtu edhe në degët e rajonit të Tiranës, Durrësit dhe Fierit.
Gazeta ‘Shqip’ publikon se hetimi nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit është shtrirë për veprimtarinë e ALUIZNI-t, nga data 1 janar 2009, deri më 30 prill të 2011-s, gati 2 vjet e gjysmë, duke përbërë ndoshta edhe rastin e parë të një inspektimi kaq të gjatë në kohë, nga ku u zbuluan mjaft shkelje.
Skandali me procesin e legalizimeve arrin deri në atë pikë sa edhe vetë Kryeministri, pa qenë i informuar saktësisht, ka lejuar miratimin e dosjeve pa dokumentacionin e duhur dhe me shumë shkelje. Përveç abuzimeve të shumta ligjore, ndaj shtetit janë kryer edhe dëme financiare, me vlerë afro 450 mijë dollarë, ndërsa masat e kërkuara nga KLSH-ja arrijnë deri në kallëzimin penal të punonjësve dhe shefave të tyre, për rajonet e agjencisë në Tiranë dhe Durrës.
“Për 14 punonjës, drejtues dhe specialistë të ALUIZNI-t që nuk kanë zbatuar kërkesat e ligjit, KLSH-ja ka bërë dy kallëzime penale, respektivisht në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe asaj të Durrësit, për konsumin e veprës penale të ‘shpërdorimit të detyrës’, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal”, thonë për “Shqip”, burime zyrtare të KLSH-së, duke shtuar se kallëzimet i janë dërguar edhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Forma e abuzimit
Nga analiza e zbulimeve dhe konkluzioneve të kontrolleve, rezulton se përqendrimi i një sërë kompetencash të vendimmarrjes në drejtorinë qendrore të ALUIZNI-t ka prodhuar jo vetëm mosshfrytëzim efektiv të burimeve, por edhe mjaft shkelje e parregullsi në zbatimin e ligjit.
KLSH rendit me fakte sektorët, duke nisur me fenomenin e “kryerjes së procedurave të legalizimit në një kohë që kërkesat dhe vetëdeklarimet sipas formularit ‘A1’ nuk janë nënshkruar nga punonjësit e njësisë bashkiake apo punonjësi i njësisë së legalizimit, dhe nuk janë shoqëruar me vendimet për sheshet e lejet e ndërtimit të KRRT-së dhe planimetrisë përkatëse”.
Tjetër abuzim u referohet rasteve të legalizimit në një kohë kur në dosje mungon dokumentacioni i vërtetimit të pronësisë, dokumentet e kalimit të pronësisë, apo aktmarrëveshjet me pronarët, fotografitë e objektit, aktet e kualifikimit, kualidimit, formulari i certifikimit të dosjeve për shtesat informale etj.
Në raport thuhet se, janë përllogaritur për 12 mijë subjekte taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe janë përgatitur e shpërndarë formularët e pagesës, pa përgatitur dhe kualifikuar për legalizim dosjet përkatëse të objekteve informale.
Gjithashtu, janë dërguar për miratim në qeveri dokumentacioni për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesi i ndërtimit informal, për rreth 44 mijë dosje, nga të cilat 30 mijë nuk i kanë kaluar të gjitha procedurat ligjore deri në kualifikimin për legalizim të dosjes.
“Për rrjedhojë nuk duhej të dërgoheshin në qeveri për miratim”, argumenton KLSH-ja.
Dëmi ekonomik
Nga kontrolli i 290 dosjeve të kualifikuara, janë konstatuar 72 me të meta dhe mangësi ligjore, ndërsa në 11 raste është konstatuar dëm ekonomik në shumën e rreth 8.7 milionë lekëve, si detyrime të pallogaritura dhe të paarkëtuara nga subjektet përfituese. Kjo është vetëm njëra anë, pasi dëmi ekonomik në total arrin afro 45 milionë lekë.
Në mënyrë të përmbledhur, nga 270 mijë aplikime për legalizim, 240 mijë prej tyre kanë paguar tarifën e shërbimit, nga të cilat vetëm 8712 dosje ose 4 për qind janë dërguar në drejtorinë qendrore të ALUIZNI-t për miratim pa leje legalizimi dhe për 7039 prej tyre është kryer ky proces. “Ky fakt tregon për një nivel të ulët performance nga drejtuesit dhe punonjësit e drejtorisë qendrore dhe degëve në rajon”, thotë KLSH-ja.
Për afro 44 mijë dosje që janë miratuar me VKM, kalimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, rezultoi se për 3035 parcela objektet ishin skualifikuar nga urbanistika për rrjetet rrugore dhe për studimet urbanistike, sikurse ishin edhe brenda zonës turistike. Në raport KLSH-ja thekson faktin se, është kryer legalizim për objekte të ndodhura në zona turistike dhe pranë rrugës kombëtare, janë pranë trasesë së trenit, madje ka raste për objekte të miratuara, në një kohë që nuk figurojnë në momentin e fotografimit ajror.
Top Channel