Policia greke njoftoi se ka nxjerrë urdhërin e parë të arrestit për një prej të dyshuarve si grabitësit e muzeut të Olimpias së Lashtë pak ditë më parë.

Sipas policisë, urdhëri i arrestit u lëshua për një shtetas shqiptar, shenjat e gishtërinjve të të cilit u gjetën në çekiçin e përdorur prej grabitësve për të thyer vitrinat ku mbaheshin objektet arkeologjike të grabitura të premten e kaluar në muze.

Sipas policisë helene, shenjat e gishtërinjve u gjetën edhe në një kubik xhami në brendësi të muzeut, ndërsa pritet ndalimi i tij me qëllim vërtetimin e akuzës edhe nëpërmjet metodës së ADN-së së gjetur në disa fije floku të të dyshuarve në dyshemenë e muzeut.

Burime policore i thanë Top Channel se shqiptari i akuzuar ka kryer dënim për grabitje me armë të disa dyqaneve floriri në të njëjtën zone dhe u lirua me kusht një vit më parë.

Policia mendon se shqiptari dhe dy miqtë e tij, ende të paidentifikuar, janë paguar prej koleksionistëve anonimë për të kryer grabitjen kundrejt pagesës.

Identiteti i shqiptarit dhe fotografi të tij u janë dhënë të gjitha pikave kufitare. Gjatë orëve në vazhdim, pritet të informohen edhe organet shqiptare të rendit, me qëllim zbardhjen e njerës prej grabitjeve më spektakolare të kryera gjatë viteve të fundit në Greqi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA