“Shkëndija” me Taren, Reja drejt largimit

22/02/2012 18:10

Edy Reja është pranë largimit nga Lazio, pas një mosmarrëveshje me drejtorin sportiv, Igli Tare dhe presidentin Lotito.

Këtë e raportuan mediat italiane ditën e mërkurë. Sipas tyre, trajneri dha dorëheqjen pas konfrontit të ndodhur 24 orë më parë në qëndrës stërvitore të Formelos.

Reja i prezantoi klubit letrën e tij të largimit të “parevokueshëm”, por pas një mbledhje disa orëshe ai ka vendosur që të “ngrijë” këtë veprim dhe të drejtojë skuadrën të paktën në ndeshjen e kthimit të Europa League, ndaj Atleticos.

Marrëdhëniet midis Rejës dhe Tares kanë qenë gjithmonë të tensionuara dhe trajneri kërcënoi me largimin e tij edhe në fillimin e sezonit, duke u tërhequr pasi klubi refuzoi të pranonte dorëheqjen.

Pritet që e ardhmja e Rejës të përcaktohet nga një takim kokë më kokë që do të ndodhë me presidentin Lotito, më vonë gjatë javës.

Nëse një marrëveshje nuk do të gjendet, Alberto Bolini, trajneri i të rinjve, pritet që të marrë në dorë drejtimin e skuadrës për një periudhë të papërcaktuar.

Top Channel