Nëse pala e Kosovës në bisedimet me Serbinë në Bruksel pranon që Kosova të përfaqësohet me fusnotë në nismat rajonale, ku përfshihet edhe Rezoluta 12-44, atëherë subjekti i tretë parlamentar, Lëvizja Vetëvendosje do të shpallë datën e një demostrate.

Kjo është konfirmuar për Top Channel gjatë pasdites nga Dardan Molliqaj, që sipas tij është vetëm njëra nga mënyrat e kundërshtimit në rast të rënies dakord të palës kosovare.

“Është e domosdoshme që të kemi një demostratë popullore në Prishtinë për ta kundërshtuar fuqishëm një gjë të tillë, sepse në mendojmë se është e pamjaftueshme vetëm seanca e jashtëzakonshme apo protesta në rrugë”, thotë Dardan Molliqaj, sekretar organizativ, Vetëvendosjes.

Përveç kësaj, Molliqaj tha se janë afër marrëveshjes me dy subjektet tjera opozitare, LDK dhe AAK, për të siguruar 40 firma të deputetëve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit, ku do të paraqitej një rezolutë përmes së cilës do të kundërshtohej paraqitja e Kosovës me fusnotë.

Ndryshe nga Vetëvendosje është shprehur Mustafa, që sipas tij deri më tani nuk ka ndonjë përgatitje të veçantë. Ai tha se u takon deputetëve të vendosin vetë.

“Do të presim bisedimet se cfarë do të ndodhë në Bruksel, pastaj deputetët do të vendosin në bazë të fuqisë së votës që kanë marrë nga qytetarët”, tha zoti Mustafa.

Fusnota ka qenë temë e takimit të Mustafës me ambasadorin britanik në Kosovë, Ian Cliff, i cili ka thënë se kjo është një formulë tranzitore, ndërsa ka ftuar partitë politike që të arrijnë marrëveshje lidhur me këtë.

“Ne nuk po kërkojmë nga Kosova që të ndryshojë emrin e saj. Por, ne besojmë se sa na përket ne, si Mbretëri e Bashkuar, si miku juaj më i fuqishëm në Bashkimin Europian, rekomandojmë që ta shtyjmë përpara procesin e integrimeve në BE dhe mendojmë që partitë politike duhet të jenë përgjegjëse që të arrijnë marrëveshje tani lidhur me këtë formulë… Kjo është një formulë tranzitore, është vetëm një “footnote”.Natyrisht që ne do ta parapëlqenim që kjo të mos ishte, por duhet të jetojmë në një botë reale, në botën të cilën 5 shtete të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, deklaroi ambasadori britanik, Ian  Cliff.

Debati për përfaqësimin rajonal të Kosovës është ngjallur pas deklaratës së kryeministrit Hashim Thaçi se fusnota përmes së cilës do të përfaqësohet Kosova në nisma rajonale, do të përmbajë Rezolutën 12-44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës dhe opinionin e GJND-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA