Zgjedhjet në universitete

21/02/2012 16:15

Numërimi i votave në universitete ka përfunduar duke certifikuar fituesit. Në shumë fakultete të Tiranës ka patur vetëm një kandidat, çka ka bërë që fituesi të ishte i shpallur që në fillim.

Nga të dhënat zyrtare mësohet se profesor Dhori Kule është fitues në Universitetin e Tiranës; në Akademinë e Arteve ka fituar profesor Petrit Malaj; në Universitetin Politeknik profesor Kacani.

Zgjedhjet kanë qenë më të forta në Fakultetin Ekonomik dhe atë të Mjekësisë. Në Fakultetin Ekonomik rezulton fitues profesor Sulo Haderi me një rezultat të ngushtë karshi profesor Andri Koxhajt.

Në Fakultetin e Mjekësisë ku kandidonin katër profesorë dhe konkurrenca më e ashpër ishte mes dy profesorëve Pipero dhe Hysa, fitues rezulton profesor Bajram Hysa.

Në fakultetin e Filologjisë rezulton fitues profesor Shezai Rrokaj; në fakultetin e Shkencave Sociale profesor Theodhori Karaj dhe në fakultetin e Gjuhëve të Huaja Klodeta Dibra.

Incident te Fakulteti i Muzikës

Në Fakultetin e Muzikës, pranë Akademisë së Arteve, procesi i numërimit është bllokuar në orën 19 të ditës së hënë deri në orën dhjetë të së martës pasi anëtarët e komisionit nuk pranonin të firmosnin procesverbalet.

Kryetari i komisionit të Fakultetit, Altin Buli, sqaron se procesverbali nuk firmoset nga dy anëtarët pasi ata nuk pranojnë formulën matematikore të zbatuar për zgjedhjen e tyre: “Problemi është shuma që del në fund. Është një shumë me presje dhjetore dhe kurrë nuk mund të dalë i plotë.”

Pasi është depozituar një ankesë në KQZI, mësohet se procesi është zhbllokuar, duke i shtuar përqindjen e mbetur prej 0.1% tre anëtarëve, çka nuk ka ndryshuar rezultatin.

Sokol Shupo është kandidati fitues me 50.14%. Ai tregon se ky proces, në ndryshim nga katër vite më parë, ka qenë I mbushur me presione.

“Gabimet proceduriale që janë bërë më bëjnë të mendoj se kanë qenë të qëllimshme. Komisioni e ka gdhirë duke ruajtur votat me gjithë presionin e zëvendësrektorit dhe vetëm sot që erdhën mediat u gjet zgjidhja që duhej gjetur që dje sepse ishte mbi tavolinë”, u shpreh Shupo.

Me profesor Shupon kandidonte edhe Fatmir Hysi që ka fituar 49.14% dhe profesoresha Ina Kosturi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA