Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut shqiptar Sali Berisha, me rastin e humbjes së komandos shqiptar Feti Vogli në Afganistan.
“Me dhembje të madhe morëm lajmin për aksidentin tragjik që ndodhi në Kandahar të Afganistanit, ku ra në krye të detyrës komandanti Feti Vogli. Në emër të qeverisë, popullit të Kosovës dhe në emrin tim persona, pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, shprehet Thaçi në mesazhin e tij.
Nga ana tjetër, duke u shprehur i vetëdijshëm për momentet e vështira që po kalon populli shqiptar për këtë ngjarje, kryeministri kosovar ka shprehur urimin e tij për shërimin e komandos së plagosur rëndë, Aleksandër Peçi.
Më tej zoti Thaçi ka shprehur bindjen e tij se, pavarësisht ngjarjes, Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj në misionin paqeruajtës të NATO-s në Afganistan.
Ndërkohë, një telegram analog ministri i Jashtëm kosovar i ka dërguar homologut shqiptar Edmond Haxhinasto, ku shprehen ngushëllimet për humbjen e rëndë.
“Shqiptarët, kudo që ndodhen, ndajnë së bashku dhimbjen e familjarëve të viktimës dhe u bashkohen lutjeve për mbijetesën e ushtarit tjetër”, thuhet në telegram.
Top Channel