Vogli në varrezat e Dëshmorëve

21/02/2012 00:00

Thonë se kur dikush njoftohet i vdekur, ndërkohë që është gjallë, atij i zgjatet jeta. Komando Aleksandër Peci e ka provuar këtë dy ditët e fundit.

Në pak orë Ministria e Mbrojtjes dha dy lajme kontradiktore për jetën e tij, por të martën një dritë shprese vinte nga Kandahari. Krahas dhimbjes për humbjen e jetës së kapiten Feti Voglit, njoftohej se gjendja shëndetësore e komandos Aleksandër Peci po përmirësohej.

“Gjendja shëndetësore e nëntetar Aleksandër Peci vazhdon të përmirësohet pas ndërhyrjes kirurgjikale në spitalin ushtarak të bazës ajrore Kandahar në Afganistan. Autoritetet ushtarake përgjegjëse të operacionit të ISAF, po përmbyllin masat për transportimin e të plagosurit drejt Gjermanisë”, tha gjeneral/brigade, Viktor Berdo.

Gjenerali shpjegoi arsyet e njoftimit kontradiktor të ministrisë, me njoftimin sipas tij kontradiktor që erdhi nga vetë Kandahari. Sa për kapitenin Feti Voglin, i rënë në luftime, trupit të tij të pajetë do t’i rezervohet një pritje prej dëshmori.

“Komisioni qendror për dhënien e statusit Dëshmor i Atdheut i ka akorduar kapiten Feti Voglit, statusin e Dëshmorit të Atdheut. Varrimi i Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Voglit do të bëhet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit”, shtoi gjeneral/brigade, Viktor Berdo.

Kurse Presidenti i Republikës, njëkohësisht komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, u akordoi të dy ushtarakëve Medaljen e Artë të Shqiponjës. Presidenti ishte për vizitë fillimisht në shtëpinë e kapiten Feti Voglit dhe më pas në atë të nëntetar Aleksandër Pecit.

Për ngushëllim në shtëpinë e Feti Voglit ishte edhe kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe kryetari i opozitës, Edi Rama.

Topi: Medaljen e shqiponjës Feti Voglit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka qenë paraditen e së martës në Baldushk të Tiranës, ku ka vizituar familjen e komandos Feti Vogli, i cili humbi jetën gjatë një sulmi ditën e hënë në Afganistan.

Gjatë takimit me familjarët, Topi ka shprehur vlerësimet më të larta për komandantin e grupit të parë, si dhe u ka garantuar atyre se shteti do t’u qëndrojë pranë në këto momente të vështira. Në përfundim të vizitës Topi është prononcuar edhe për mediat.

“I akordoj familjes së kapitenit Feti Vogli Medaljen e Artë të Shqiponjës. Do vazhdojmë të qëndrojmë përkrah aleatëve për ruajtjen e paqes në botë. Gjithashtu, i uroj shërim të shpejtë komandos së plagosur në Afganistan, Aleksandër Peci. Shteti ka marrë të gjitha masat për të ndihmuar familjet e komandove të sulmuar”, ka deklaruar Topi.

Ndërkohë, në familjen e komandos së vrarë ka qenë për një vizitë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Alexander Arvizu.

“Krenarë për luftën e shqiptarëve”

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Alexander Arvizu ka vizituar Ministrinë e Mbrojtjes, ku i ka shprehur ngushëllimet Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami për vrasjen e kapiten Feti Voglit në Afganistan.

“Sot ne gjendemi këtu me emocione të përziera. Nga njëra anë e kemi zemrën tejet të rënduar nga humbja e kapiten Voglit edhe gjithashtu nga plagosja e nëntetar Pecit, por gjithashtu janë të mbushura me krenari të madhe për gjithë këtë luftë që ata ushtarakë shqiptarë po kryejnë me forcat e koalcionit në Afganistan. Mendoj se ky është një ngushëllim i vogël për të ofruar pasi nuk mund të rikthejë në jëtë kapiten Voglin.  Forcat speciale shqiptare ishin në një mision të përbashkët me forcat amerikane. Pata nderin sot të takohesha me familjarët e kapiten Voglit si dhe me familjen e nëntetar Pecit. Në emër të SHBA dhe popullit amerikan ofrojmë para së gjithash dhe mbi të gjitha mbështetjen tonë për familjet por edhe për ata burra kurajozë të forcave të armatosura që drejtohen nga gjeneral Gjunkshi”, tha ambasadori Arvizu.

Ministri Imami u shpreh se kapiten Feti Vogli dhe grupi i komandove luftuan me vendosmëri, por edhe me profesionalizëm të lartë duke respektuar rregullat dhe angazhimet si qytetarë dhe si ushtarakë të një aleance të qytetëruar.

“Kapiten Feti Vogli dhe grupi special luftuan me vendosmëri dhe
profesionalizëm si ushtarakë të një aleance të qytetëruar. Kapiten Fetiu
dha jetën si trim, një hero! Kapiten Vogli ishte një ushtar i shkëlqyer
karriere, një model. Ky është cmimi i rëndë që populli shqiptar paguan
për lirinë e tij, për paqen dhe lirinë në botë. Sigurova ambasadorin
arvizu për vazhdimësinë e misionit paqeruajtës shqiptar në Afganistan”,
tha zoti Imami.

Pavarësisht interesimit të gazetarëve për të mësuar më shumë detaje të
incidentit tragjik, sipas stafit të Ministrit të Mbrojtjes, në të tilla
raste, sipas rregullores së NATO-s, gazetarët nuk mund të drejtojnë
pyetje. 

Topalli, ngushëllime familjes Vogli

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u është bashkuar ngushëllimeve për familjarët e kapiten Feti Voglit, i cili mbeti i vrarë të hënën në Afganistan.

Në mesazhin e saj, kryetarja e Kuvendit ka vlerësuar me nota maksimale heroizmin e ushtarakut shqiptar në shërbim të paqes.

“Kapiten Vogli donte të mbronte paqen për fëmijët afganë. Çdo shqiptari i duket sikur ka humbur një pjesëtar të familjes. Shprehim dhimbjen më të thellë për këputjen e jetës së një heroi shqiptar”, është shprehur Topalli.

Rama vizitë në familjen Vogli

Kryetari i Partisë Socialiste zhvilloi një vizitë në familjen Vogli, familja e komandos së vrarë ditën e hënë në Afganistan gjatë një shkëmbimi zjarri me persona të veshur me uniformën e policisë afgane.

Rama ngushëlloi familjarët për humbjen, sic e quajti ai, e madhe të familjes Vogli, por edhe të gjithë popullit shqiptar.

“Familjarët e Voglit të ndihen krenarë, ashtu sit ë gjithë ne! Të jemi krenarë dhe kjo është një arsye e fortë për të vazhduar betejën tonë përkrah SHBA-ve. Do luftojmë bashkë me SHBA dhe Aleatët kundër një të keqeje të madhe”, tha Rama.

Vogli, ngushëllime edhe nga Prishtina

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut shqiptar Sali Berisha, me rastin e humbjes së komandos shqiptar Feti Vogli në Afganistan.

“Me dhembje të madhe morëm lajmin për aksidentin tragjik që ndodhi në Kandahar të Afganistanit, ku ra në krye të detyrës komandanti Feti Vogli. Në emër të qeverisë, popullit të Kosovës dhe në emrin tim personal, pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, shprehet Thaçi në mesazhin e tij.

Nga ana tjetër, duke u shprehur i vetëdijshëm për momentet e vështira që po kalon populli shqiptar për këtë ngjarje, kryeministri kosovar ka shprehur urimin e tij për shërimin e komandos së plagosur rëndë, Aleksandër Peçi.

Më tej zoti Thaçi ka shprehur bindjen e tij se, pavarësisht ngjarjes, Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj në misionin paqeruajtës të NATO-s në Afganistan.

Ndërkohë, një telegram analog ministri i Jashtëm kosovar i ka dërguar homologut shqiptar Edmond Haxhinasto, ku shprehen ngushëllimet për humbjen e rëndë.

“Shqiptarët, kudo që ndodhen, ndajnë së bashku dhimbjen e familjarëve të viktimës dhe u bashkohen lutjeve për mbijetesën e ushtarit tjetër”, thuhet në telegram.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA